foto: VCG
Kandidatët për president të SHBA-së, Kamala Harris dhe Donald Trump do të përballen në një debat televiziv më 10 shtator, sipas transmetuesit “ABC”.
Fillimisht, kandidati republikan Trump dhe presidenti demokrat i SHBA-së, Joe Biden, kishin rënë dakord për datën e një debati përpara se presidenti aktual të tërhiqej nga gara për Shtëpinë e Bardhë dhe Harris ta zëvendësonte atë.
Më pas, Trump propozoi një datë alternative me një transmetues tjetër.
Gjatë një konference shtypi në pronën e tij në Mar-a-Lago në Florida, Trump tha se donte të përballej me Harris në tre debate përpara zgjedhjeve presidenciale të nëntorit në SHBA, duke shtuar se ekipi i tij kishte rënë dakord për datat me dy stacione të tjera televizive për 4 shtator dhe 25 shtator, shkruan “ATSH”.
Harris, gjatë një ndalese të fushatës në Michigan, u tha gazetarëve se ishte e lumtur që Trump më në fund kishte rënë dakord për një debat më 10 shtator.
Trump tha gjithashtu se ishte planifikuar një debat midis dy kandidatëve për nënpresidentë, JD Vance dhe Tim Walz, por ai nuk përmendi një datë. Zgjedhjet në SHBA do të zhvillohen më 5 nëntor. (Elona)