foto: VCG
Një avion pasagjerësh u përplas të premten në një zonë banimi në Sao Paulo të Brazilit, duke shkaktuar vdekjen e të gjithë 61 personave në bord, konfirmoi kompania ajrore Voepass.
Voepass deklaroi se një avion i tij i tipit ATR-72, ishte rrugës për në aeroportin ndërkombëtar Guarulhos të Sao Paulos me 57 pasagjerë dhe 4 anëtarë të ekuipazhit në bord, kur u përplas në Vinhedo. Kompania publikoi një listë me emrat e pasagjerëve, por nuk dha detaje për kombësitë e tyre. Më herët ishte raportuar se në bord gjendeshin 58 pasagjerë.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një shpjegim për shkakun e aksidentit, por kreu i qendrës braziliane të hetimit të aksidenteve ajrore, Cenipa, konfirmoi se "kutia e zezë" e avionit, që përmban regjistrimet e zërit dhe të dhënat e fluturimit, është gjetur në vendngjarje.
foto: VCG
Gjatë një aktiviteti në jug të Brazilit, Presidenti i vendit Luiz Inácio Lula da Silva kërkoi një minutë heshtje për të respektuar viktimat. Më pas, ai shpalli tre ditë zie kombëtare. Forcat zjarrfikëse, policia ushtarake dhe autoritetet e mbrojtjes civile kanë dërguar ekipe në vendin e ngjarjes.
Sekretari i sigurisë publike të Sao Paulos, Guilherme Derrite, njoftoi për gazetarët se nuk janë gjetur të mbijetuar dhe konfirmoi se kutia e zezë është rikuperuar. Ndërkohë, Policia Federale e Brazilit njoftoi se ka nisur hetimet dhe ka dërguar specialistë për hetimin e përplasjes së avionit dhe identifikimin e viktimave. (Li Huailiang/Elona)