Britani (Foto RTSH)
Ministrja e Shtetit për Policinë dhe ndalimin e kriminalitetit në Britaninë e Madhe, Diana Johnson, ka bërë të qartë se policia do të gjurmojë të gjithë ata që janë të përfshirë në incidente, kanë ushtruar dhunë në rrugë apo qoftë edhe kanë inkurajuar dhunën në internet. Deklaratat e saj vijnë pas protestave të dhunshme në rrugët e Britanisë së Madhe kundër emigrantëve, të cilat shpërthyen pas vrasjes së 3 vajzave në Southport nga një emigrant 17-vjeçar, citon “RTSH”.
Johnson ka theksuar se kompanitë e mediave sociale duhet të kuptojnë se kanë përgjegjësi dhe të mos lejojnë postime që nxisin urrejtje racore. Sipas saj, ministrat ishin në diskutime me platformat kryesore të rrjeteve sociale për të ndalur nxitjen e gjuhës së urrejtjes.
Johnson kërkoi nga policia që të jetë vigjilente për protestat gjatë ditëve të ardhshme. Sipas saj, mobilizimi i oficerëve të policisë në të gjithë vendin ka pasur efekt.
Referuar të dhënave të policisë britanike, 70% e personave që janë arrestuar në protestat e zhvilluara kundër emigrantëve kanë dënime të mëparshme. (Elona)