Qendra për emigrantët, ministri italian: Shkak për shtyrjen, nxehtësia anormale dhe kushtet gjeologjike
2024-08-09 14:48:26

Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi (Foto RTSH)

Nxehtësia anormale dhe kushtet gjeologjike janë dy arsyet kryesore që,  sipas ministrit të Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, çuan në shtyrjen e afatit të zbatimit të marrëveshjes Shqipëri-Itali për emigrantët.

“Zbatimi i projektit u vonua me disa javë për shkak të problemeve teknike të lidhura me kushtet gjeologjike të terrenit që kërkonin aktivitete verifikimi dhe konsolidimi dhe nga vala e zgjatur e nxehtësisë anormale që çoi në një ngadalësim të nevojshëm të punimeve për mbrojtjen e shëndetin e vetë punëtorëve”,- tha ai.

Në fjalën e tij në parlamentin italian, Piantedosi përditësoi të dhënat mbi koston e projektit, e cila do të kapë sipas tij vlerën e 800 milionë eurove për një periudhë 5-vjeçare, citon “RTSH”.

“Kostoja e përgjithshme e projektit i referohet një periudhe pesëvjeçare, pra flasim për rreth 160 milionë në vit”, - tha ministri.

Ai deklaroi se marrëveshja mes Italisë dhe Shqipërisë është një investim i mirë që do ta ndihmojë qeverinë italiane të ulë kostot e menaxhimit të pritjes, që përllogaritet me 1.6 miliardë euro në vit.

Qendra e pritjes së emigrantëve në Gjadër ishte parashikuar të hapej më datë 1 gusht, por u shty në një afat të papërcaktuar ende. (Elona)