Foto nga CFP
Kreu i diplomacisë amerikane, Antony Blinken, për herë të parë i kërkoi publikisht Iranit dhe Izraelit të shmangin një përshkallëzim drejt një konflikti të ri ushtarak në Lindjen e Mesme, në sfondin e luftës në Gaza.
“Nuk duhet të ketë përshkallëzim nga askush në këtë konflikt. Ne jemi të angazhuar në diplomaci intensive me aleatët dhe partnerët dhe po ia dërgojmë këtë mesazh drejtpërdrejt Iranit. Ne ia kemi komunikuar këtë mesazh drejtpërdrejt Izraelit”,- tha ai gjatë një konference të përbashkët për shtyp me sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, dhe homologët e tyre australianë, Penny Wong dhe Richard Marles.
“Angazhimi ynë ndaj Izraelit është i palëkundur. Ne do të vazhdojmë ta mbrojmë Izraelin kundër sulmeve nga grupet terroriste ose mbështetësit e tyre, ashtu siç do të vazhdojmë të mbrojmë trupat tona”,- insistoi Antony Blinken, duke iu referuar Iranit dhe rrjetit të tij të partnerëve rajonalë, citon “ATSH”.
Tensionet kanë qenë në kulmin e tyre që kur Irani, Hamasi dhe Hezbollahu akuzuan Izraelin se kishte vrarë Ismail Haniyeh, udhëheqësin politik të lëvizjes islamike palestineze, më 31 korrik në Teheran. (Elona)