Lufta Izrael-Hamas, BE: Goditja e infrastrukturës jetike, krim lufte
2024-08-07 11:24:33

Gaza (Foto RTSH)

Bashkimi Europian shprehet me shqetësim për shkatërrimin e vazhdueshëm të infrastrukturës kryesore civile në Rripin e Gazës, duke përfshirë impiantin e trajtimit të ujit në qytetin Rafah, duke theksuar se synimi i infrastrukturës jetike përbën krim lufte.

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, tha në një deklaratë se katastrofa humanitare e përkeqësuar në Gaza po krijon kushte që po kërcënojnë jetën e civilëve, të cilët kanë vuajtur nga uria dhe zhvendosja e përsëritur në kampet e mbipopulluara me tenda për dhjetë muaj radhazi, citon “RTSH”.

“Jemi thellësisht të shqetësuar për kolapsin e kanalizimeve, menaxhimit të mbetjeve të ngurta dhe sistemeve shëndetësore, që kanë shkaktuar përhapjen e sëmundjeve, duke përfshirë poliomielitin, infeksionet e lëkurës dhe frymëmarrjes, veçanërisht te fëmijët”,- është shprehur Borrell.

Ai theksoi nevojën urgjente për një armëpushim të menjëhershëm në Gazë dhe akses të plotë, urgjent, të sigurt dhe të pakufizuar në ndihmën humanitare në një shkallë proporcionale me nevojat e palestinezëve. (Elona)