Frika e përshkallëzimit të tensioneve në Lindjen e Mesme, kaos në aeroportin e Bejrutit
2024-08-06 11:03:49

Kaos në aeroportin e Bejrutit (Foto panorama.al)

Një situata kaotike është krijuar në aeroportin e Bejrutit në Liban, për shkak të frikës së shtuar për një përshkallëzim të tensioneve në Lindjen e Mesme shkruan panorama.al.

Mijëra qytetarë të huaj dhe jo vetëm po largohen nga vendi, pasi është shtuar rreziku për një shpërthim lufte mes Izraelit dhe Hezbollahut.

Sipas pamjeve të raportuara ne rrjetet sociale dhe mediave të huaja, shumë fluturime janë anuluar dhe pasagjerët kanë pritur për orë të tëra të shqetësuar.

Pas vrasjes së të mërkurës së kaluar të liderit politik të Hamasit Ismail Haniya në Teheran dhe sulmit ajror izraelit në Bejrut, që vrau udhëheqësin ushtarak të Hezbollahut, Fouad Shukr, shumë linja ajrore, duke përfshirë Lufthansa dhe Air France, kanë pezulluar linjat e saj drejt dhe nga Bejruti.

Në të njëjtën kohë, pas kërcënimeve për hakmarrje ndaj Izraelit, shumë vende (Suedia, SHBA, Britania, Franca, Jordania, Arabia Saudite) u bënë thirrje qytetarëve të tyre që të largohen sa më shpejt nga Libani.

Mbi të gjitha, kujtimet e luftës së mëparshme midis Izraelit dhe Hezbollahut, në vitin 2006, janë ende të gjalla. Atë verë aeroporti i Bejrutit ishte bombarduar.(Fatosi)