SHBA: Mbështetje e hekurt për Izraelin mes kërcënimeve të sulmeve nga Irani
2024-08-06 12:05:43

SHBA mbështetje për Izraelin (Foto ATSH)

Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij izraelit, Joav Gallant dhe e siguroi atë për mbështetje të hekurt të SHBA në rast të një sulmi hakmarrës nga Irani, njoftoi Pentagoni, shkruan ATSH.

Sipas Pentagonit ”Ata diskutuan gjithashtu lëvizjet amerikane për të përmirësuar mbrojtjen e forcave, për të forcuar aftësitë mbrojtëse të Izraelit dhe për të frenuar tensionet në rajon”.

Pentagoni tha se ”Austin shprehu gjithashtu mbështetjen për një armëpushim në luftën e Gazës dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve të mbetura në Rripin e Gazës”.

Tensionet në rajon janë rritur pas vrasjes së komandantit të lartë të Hezbollahut Fuad Shukr në Bejrut dhe shefit të Hamasit Ismail Haniyeh në kryeqytetin iranian, Teheran.

Në dritën e kërcënimeve të fundit të Iranit për një sulm ndaj Izraelit, është e pasigurt se kur dhe si mund të ndodhë hakmarrja.

Udhëheqja iraniane dhe milicia e Hezbollahut në Liban, aleati i saj, i janë referuar vazhdimisht “ditëve të ardhshme”.