BE nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale në Venezuelë
2024-08-06 11:45:41

BE nuk njeh zgjedhjet në Venezuelë(Foto ATSH)

BE nuk njeh zgjedhjet në Venezuelë(Foto ATSH)

Bashkimi Evropian nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të Venezuelës pa zbulimin e plotë të të dhënave zyrtare të votimit, deklaroi Peter Stano, zëdhënës i kryediplomatit të BE-së Josep Borrell.

“Çdo përpjekje për të vonuar publikimin e plotë të të dhënave zyrtare të votimit vetëm do të hedhë dyshime të mëtejshme mbi besueshmërinë e rezultateve të publikuara zyrtarisht”, theksoi Stano në një deklaratë.

Pas zgjedhjeve të 28 korrikut, autoriteti zgjedhor i Venezuelës shpalli fitues presidentin autoritar në detyrë, Nicolás Maduro, i cili është në pushtet që nga viti 2013 Megjithatë, autoriteti zgjedhor nuk ka publikuar ende rezultate të detajuara nga njësitë zgjedhore individuale, mes akuzave për mashtrim të votuesve.

Opozita akuzon qeverinë për mashtrim zgjedhor dhe pretendon fitoren e kandidatit të saj, Edmundo González. Grupet e opozitës thanë se rezultatet e detajuara të votave të tyre, të kryera në më shumë se 80% të zonave zgjedhore të Venezuelës, tregojnë se González mori 67% të votave dhe Maduro vetëm 30%. (Fatosi)