Foto nga CFP
Shtetet e Bashkuara po u thonë qytetarëve të saj të largohen nga Libani dhe po vendosin më shumë fuqi ushtarake në Lindjen e Mesme si masa parandaluese dhe mbrojtëse, tha të dielën Jonathan Finer, zëvendës këshilltar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, shkruan rtsh.al.
Tensionet rajonale janë rritur pas vrasjes të mërkurën të njërit prej drejtuesve të grupit islamik palestinez Hamas, Ismail Hanijeh në kryeqytetin iranian Teheran një ditë pasi një sulm izraelit në kryeqytetin e Libanit Bejrut vrau Fuad Shukrin, një komandant të lartë ushtarak të grupit libanez, Hezbollahut. Të dyja grupet mbështeten nga Irani.
Shqetësimet se lufta e Izraelit kundër militantëve palestinezë në Gaza mund të përshkallëzohet në një konflikt më të gjerë në Lindjen e Mesme, po shtohen.
Irani dhe Hamasi kanë fajësuar Izraelin për vrasjen e Hanijesë dhe së bashku me Hezbollahun, janë zotuar për hakmarrje. Izraeli as nuk e ka pranuar as nuk e ka mohuar përgjegjësinë. Pentagoni tha të premten se do të vendosë avionë luftarakë shtesë dhe anije luftarake të marinës në rajon. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli po përgatiten për çdo skenar të mundshëm, shtoi Finer.
Finer kujtoi se ndezja e një konflikti rajonal ishte shumë e afërt në prill, kur Irani ndërmori një sulm me dronë në territorin izraelit me dronë dhe raketa.
Goditja nga Irani erdhi pas një sulmi të dyshuar izraelit ndaj konsullatës së Teheranit në kryeqytetin sirian Damask më 1 prill, ku u vranë shtatë pjesëtarë të Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike.
“Shtetet e Bashkuara duan të jenë të përgatitura nëse kjo situatë paraqitet përsëri”, shtoi Finer.
Presidenti i SHBA Joe Biden shprehu të shtunën shpresën se Irani do të tërhiqej pavarësisht kërcënimit për t'u hakmarrë për vrasjen e Hanijehut.(Fatosi)