Bursa izraelite në nivelin më të ulët mes frikës së luftës
2024-08-05 15:39:11

Bursa izraelite (Foto Ora News)

Bursa izraelite (Foto Ora News)

Indeksi kryesor i Bursës së Tel Avivit (TASE) në fillimin e tregtimit javor të dielën ka ra në pikën më të ulët për shkak të frikës së një lufte të mundshme me Hezbollahun dhe Iranin, shkruan ATSH.

 

Në fillimin e tregtimit, indeksi TASE 35 ra me 2,3 për qind në 1,937 pikë, duke shënuar nivelin e tij më të ulët që nga java e fundit e prillit.

 

Ecuria e dobët e indekseve të "Wall Street" të premten përkeqësoi më tej fillimin negativ për Bursën e Tel Avivit, e cila ka qenë nën presion që nga mesi i korrikut për shkak të përshkallëzimit të tensioneve me Hezbollahun dhe Iranin.

 

Tensionet po rriten mes spekulimeve se Irani po përgatit një përgjigje ushtarake ndaj vrasjes së liderit politik të Hamasit, Ismail Haniyeh, më të madhe se ajo pas një sulmi në prill në Konsullatën e Iranit në kryeqytetin sirian Damask.

 

Haniyeh u vra të mërkurën në Teheran. Derisa Hamasi dhe Irani akuzuan Izraelin për vrasjen, Tel Avivi nuk e ka konfirmuar apo mohuar përgjegjësinë.

 

Vrasja erdhi një ditë pasi komandanti i Hezbollahut, Fuad Shukr, u vra në një sulm ajror izraelit në Bejrut.

 

Hamasi dhe Irani janë zotuar të hakmerren për vrasjen e Haniyeh-it, ndërsa Hezbollahu është zotuar se do t’i përgjigjet vrasjes së Shukr-it.