Foto nga CFP
Në fund të korrikut, Filipinet dhe ShBA-ja zhvilluan raundin e ri të takimit “2+2” të ministrave të Jashtëm e të Mbrojtjes. Kjo është hera e parë që Filipinet e organizojnë këtë takim. Para kësaj, Kina dhe Filipinet arritën marrëveshjen e përkohshme për kontrollin e situatës në gumën Renai, duke zbutur mosmarrëveshjen për Detin e Kinës Jugore. Por sipas deklaratës së përbashkët të bërë në takimin Filipine-ShBA, pala amerikane nuk do një situatë të qëndrueshme në Detin e Kinës Jugore.
Në deklaratë, pala amerikane ritheksoi premtimet e bëra për sigurinë e Filipineve dhe u shpreh se “Marrëveshja e mbrojtjes së përbashkët ShBA-Filipinet” është e zbatueshme për rajonin e Detit të Kinës Jugore, duke u bërë thirrje të dy vendeve të zhvillojnë bashkëpunim në fushën e mbrojtës e të sigurisë me Japoninë e Australinë, për të përballuar të ashtuquajturat "sfida të përbashkëta". Njëkohësisht, deklarata e përbashkët thekson se ShBA-ja do të bashkëpunojë me Japoninë e vende të tjera për të shtuar fondet për Filipinet në fusha të tilla si ajo e sigurisë, ushtarake dhe ekonomike. Pas takimit, sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u shpreh që pala amerikane do të japë 500 milionë dollarë fonde për të forcuar aftësinë mbrojtëse të Filipineve. Gjatë takimit me sekretarin Blinken, presidenti filipinas Ferdinand Marcos Jr. u bëri thirrje të dy palëve që të mbajnë kontakte të rregullta, për t'i ndihmuar Filipinet të përballojnë "në mënyrë elastike" tensionet përkatëse.
Një sërë prirjesh tregojnë se ShBA-ja është faktori kryesor që ndikon në politikën filipinase ndaj Kinës dhe Detit të Kinës Jugore. Që nga viti i kaluar, Filipinet kanë bërë herë pas here provokime në gumën Renai, ishullin Huangyan etj. të Kinës dhe ky është shkaku kryesor i problemit.
Si një vend aziatik, në trajtimin e mosmarrëveshjes detare me Kinën, pala filipinase duhet të tregojë më shumë racionalitet e t'i vërë paqen dhe qëndrueshmërinë rajonale në plan të parë. Por, pas ardhjes në fuqi të administratës së presidentit Marcos, duket se forcimi i aleancës me ShBA-në është bërë politika kombëtare e Filipineve.
Disa politikanë filipinas duhet të jenë racionalë dhe të kuptojnë se premtimet e ShBA-së për sigurinë janë boshe. Aleanca ShBA-Filipine synon të mbrojë hegjemonizmin global amerikan dhe nuk do t’u sjellë Filipineve paqe e lulëzim.
Në takimin e 57-të të ministrave të Jashtëm të ASEAN-it të zhvilluar në fund të korrikut u miratua një deklaratë, ku theksohet rëndësia e zbatimit të gjithanshëm të Deklaratës për Sjelljen e Palëve në Detin e Kinës Jugore, duke inkurajuar përdorimin e “Udhëzimeve për shpejtimin e arritjes së Kodit të Sjelljes në Detin e Kinës Jugore” të miratuara nga Kina dhe vendet e ASEAN-it. Ky qëndrim mohon propozimin e qeverisë filipinase për hartimin e një kodi të ri të sjelljes në Detin e Kinës Jugore duke mënjanuar Kinën dhe tregon që zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjes në Detin e Kinës Jugore është konsensus i vendeve të ASEAN-it e se mbrojtja e paqes në këtë det është shpresa e përbashkët e tyre. (Fani)