Kina është ende "tokë pjellore" për investimet e huaja
2024-07-19 16:05:19

foto nga CFP

Në një konferencë shtypi të Komitetit Qendror (KQ) të Partisë Komuniste të Kinës (PKK) të premten, zv.drejtori i Zyrës Qendrore të Financave Han Wenxiu tha se, si pasojë e ndryshimit të mjedisit ndërkombëtar dhe e faktorëve të tjerë, tani në Kinë përdorimi real i investimeve të huaja është ulur, por kjo është një dukuri e përkohshme. Me përmirësimin e vazhdueshëm të mjedisit të biznesit, do të vijojë të shtohen edhe rastet tregtare e do të zgjerohet shfrytëzimi i investimeve të huaja nga Kina.

Han vuri në dukje se, sipas frymës së plenumit të 3-të të KQ të 20-të të PKK-së, Kina do të lehtësojë më tej hyrjen në tregun e saj, do të konkretizojë sa më shpejt kërkesën për heqjen e masave kufizuese ndaj investimeve të huaja në fushën e manifakturës, do të zgjerojë listën e kategorive industriale ku inkurajohen investimet e huaja dhe do të zvogëlojë në mënyrë të arsyeshme listën negative për hyrjen e investimeve të huaja. Kina do të zgjerojë degën e shërbimeve, duke zbatuar gjithanshëm listën negative të tregtisë në shërbime dhe duke nxitur zgjerimin sistematik të hapjes në sektorët si telekomunikacioni, interneti, arsimi, kultura, mjekësia etj. Kina do të shpejtojë edhe zhvillimin e tregtisë jashtë vendit, do të përkrahë paralelisht zhvillimin e ndërmarrjeve kineze e atyre të huaja dhe do të sigurojë që ndërmarrjet me investime të huaja të gëzojnë trajtim kombëtar në tërheqjen e faktorëve prodhues, marrjen e licensave, hartimin e standardeve dhe prokurimet qeveritare.

Han Wenxiu u shpreh gjithashtu në vijim se Kina është ende një "tokë pjellore" për investimet e vendeve të ndryshme dhe do të përmirësojë më tej mjedisin e nivelit të lartë të biznesit, të orientuar nga tregu, me sundim ligji e të ndërkombëtarizuar. Kina është e gatshme të ndajë rastet kolosale me ndërmarrjet me investime të huaja gjatë zhvillimit të forcave të reja prodhuese dhe procesit të modernizimit të stilit kinez. (Wang Lei/ Artan)