Kufizimet dhe forcimi i kontrollin të eksportit të gjysmëpërçuesve do të sjellë shumë shqetësim për industrinë globale
2024-09-17 11:13:00

Qeveria holandeze ka deklaruar se do të zgjerojë kërkesat e licensimit të eksportit për mjetet e litografisë, duke përafruar rregullat e saj të kufizimeve të eksportit për këto makina, të vendosura dhe nga Shtetet e Bashkuara vitin e kaluar. Holanda ndryshon politikën e saj për eksportin e makinerive të litografisë duke vendosur që dy makina të përparuara të gjigantit të mikroçipave ASML, duhet të marrin miratim para eksportit në vendet jashtë BE-së. Ministria Kineze e Tregtisë ka shprehur pakënaqësinë për këtë vendim, për të kufizuar më tej eksportet nga furnizuesi i pajisjeve kompjuterike ASML në Kinë. Ministria ka vënë në dukje se Kina dhe Holanda janë përfshirë në raunde të shumta diskutimesh mbi kontrollet e eksportit të gjysmëpërçuesve. Por, pavarësisht këtyre përpjekjeve, qeveria holandeze ka vazhduar me zgjerimin e kufizimeve.

ASML është furnizuesi kryesor në botë i makinerive për prodhimin e çipave me bazë në Holandë. /CFP

Pekini gjykon se veprime të tilla jo vetëm që minojnë stabilitetin e zinxhirëve globalë të furnizimit të gjysmëpërçuesve, por gjithashtu cenojnë të drejtat legjitime të kompanive kineze. Ministria e Tregtisë e Kinës i kërkoi qeverisë holandeze të shmangë abuzimin me regjimet e kontrollit të eksporteve dhe të punojë për mbrojtjen e interesave të përbashkëta të dy vendeve dhe kompanive të tyre, si dhe ruajtjen e stabilitetit të zinxhirëve industrialë dhe të furnizimit global. Kompania holandeze e teknologjisë është prodhuesi i vetëm i makinerive më të avancuara të prodhimit të çipave në botë. Nga prilli, qeveria holandeze ka rezistuar ndaj një grupi më të ri kufizimesh të kërkuara nga SHBA, si bllokimi për servisin dhe mirëmbajtjen e pajisjeve të shitura tashmë të ASML për klientët kinezë. Kina ka kërcënuar të ndërpresë lidhjet me ASML, nëse vazhdojnë tensionet, ka raportuar gazeta shtetërore kineze Global Times. Por nëse Holanda ndjek këtë strategji, kjo do të përkeqësojë më tej marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe Kinë-Holandë. Nëse ASML humbet tregun kinez, kompania do të pësojë humbje të konsiderueshme ekonomike.

Xinhua

Kryeministri i ri i Holandës Dick Schoof/Xinhua

Kjo mund të çojë në një reduktim të pjesës së tregut global të kompanisë dhe një ndryshim në ekuilibrin e fuqisë në industrinë e gjysmëpërçuesve.  Për kompani si ASML, një firmë holandeze e konsideruar si pararojë e litografisë gjysmëpërçuese, kufizime të tilla ndërlikojnë eksportin e makinerive të tyre ultra të sofistikuara të litografisë ultravjollcë, thelbësore për prodhimin e avancuar të çipave. Goditja mund të jetë vërtet e rëndë për kompaninë.  Deri më tani këtë vit, Kina ka qenë tregu më i madh i ASML. Duke ulur fluksin e gjysmëpërçuesve të sofistikuar në Kinë, synohet të frenohen përparimet e gjigantit aziatik në këto sektorë vendimtarë. Kjo politikë godet edhe furnizuesit e kësaj teknologjie, që janë kompanitë tradicionalisht të fuqishme gjysmëpërçuese si Intel, Nvidia dhe Qualcomm, të cilat kanë një pjesë të konsiderueshme të tregut kinez.

Në mënyrë të ngjashme, kufizimet në pajisjet gjysmëpërçuese nga kompanitë amerikane si Applied Materials dhe Lam Research, mund t'i pengojnë ata të hyjnë në industrinë e gjysmëpërçuesve kinezë në zhvillim, dhe si rrjedhim të humbasin pjesë të një tregu shumë fitimprurës.  Këto politika kufizuese jo vetëm që kanë ndikim në Kinë dhe SHBA, por gjithashtu po krijojnë efekte valëzuese në zinxhirin global të furnizimit të gjysmëpërçuesve. Rrjetet ekzistuese të furnizimit mund të përballen me ndërprerje, duke çuar në pengesa të mundshme dhe kosto të përshkallëzuara. Gjigantët shumëkombësh si Taiwan Semiconductor Manufacturing Company Limited dhe Samsung, megjithëse nuk janë në shënjestër të drejtpërdrejtë nga kufizimet e SHBA, mund të përjetojnë efektet përmes ndryshimeve në modelet e kërkesës globale dhe riorganizimin e mundshëm të marrëveshjeve të furnizimit.

Konsumatorët në mbarë botën mund të ndiejnë gjithashtu efektet e këtyre masave kufizuese. Masat e marra janë thikë me dy tehe. Ndërsa vendosen për të krijuar pengesa për ngritjen teknologjike kineze, ato në mënyrë të pashmangshme cenojnë perspektivat e shitjeve dhe rritjes së firmave gjysmëpërçuese amerikane, duke zvogëluar dhe tregun e tyre. Efekti i menjëhershëm mund të shfaqet në parashikimet e uljes së shitjeve dhe një ngadalësim të programeve të ndërlikuara të kërkimit dhe zhvillimit që janë jetike për inovacionin e vazhdueshëm brenda hapësirës gjysmëpërçuese. Nëse kufizimet apo ndarjet midis furnitorëve amerikanë dhe firmave kineze të teknologjisë vazhdojnë të përshkallëzohen, kjo mund të rezultojë në krijimin e një industrie gjysmëpërçuese kineze të vetë mbështetur. Qeveria kineze ka rritur ndjeshëm mbështetjen e saj për industrinë vendase të gjysmëpërçuesve, duke ofruar subvencione financiare, përfitime tatimore dhe duke krijuar një mjedis politikash që promovon kërkimin dhe zhvillimin, si dhe inovacionin. Gjithashtu, Kina ka zhvilluar në mënyrë aktive alternativa vendase ndaj furnitorëve ndërkombëtarë, duke reduktuar varësinë nga teknologjitë e huaja. Investimet në kërkimin teknologjik vendas kanë arritur një shkallë të caktuar autonomie dhe kontrolli, dhe industria e gjysmëpërçuesve të Kinës po pakëson gradualisht varësinë e saj nga teknologjitë e jashtme të nivelit të lartë.

Prodhuesi kinez i cipave të integruar/VCG

Prodhuesi kinez i cipave të integruar/VCG

Në përgjigje të këtyre kufizimeve startup-et lokale dhe ndërmarrjet inovative të Kinës po rriten me shpejtësi me mbështetjen e tregut të kapitalit. Shumë startup-e po investojnë në kërkim dhe zhvillim, duke synuar që të tejkalojnë pengesat e bllokimit ose të ngadalësimit në përparimin e industrisë dhe produkteve gjysmëpërçues të avancuar. Kapacitetet inovative dhe gatishmëria e tregut të përgjigjes së këtyre kompanive pritet të riformësojnë zinxhirin global të furnizimit dhe të bëhen motorë të rinj të ristrukturimit të industrisë globale në të ardhmen.  Për sa i përket edukimit dhe zhvillimit të talenteve, qeveria kineze ka forcuar bashkëpunimet me universitetet dhe ka bërë investime të konsiderueshme në fushën e prodhimit dhe projektimit të gjysmëpërçuesve. Ky zhvillim ka tërhequr me sukses një numër individësh shumë të aftë të kthehen në Kinë dhe të kontribuojnë në rritjen e vendit. Njëkohësisht, Kina është e përkushtuar për të nxitur një mjedis të hapur dhe gjithëpërfshirës për inovacionin, duke ofruar një platformë të gjerë për lulëzimin e talenteve të teknologjisë vendase dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë, ka dhe reagime për të mos zgjeruar kufizimet tregtare me Kinën për sa i përket produkteve të gjysmëpërçuesve  dhe për të konsideruar shkëmbimet për këto produkte shumë të vlefshme. Kompanitë gjermane po refuzojnë thirrjet për ta larguar vendin nga zinxhirët e furnizimit me gjysmëpërçues. Christophe Fouquet, administrator i mëparshëm i ASML ka nënvizuar se mikroçipat që prodhohen në Kinë nevojiten urgjentisht në Perëndim, dhe se “nuk ka kuptim të ndalosh dikë që të prodhojë diçka që nevojitet”. Kërkesa për këta komponentë po rritet në mënyrë dramatike. Por prodhimi i tyre nuk është veçanërisht fitimprurës. Kjo është arsyeja pse shumë pak është investuar në fabrika të tilla në Perëndim.  Evropa nuk mund të mbulojë as gjysmën e nevojave të veta. Kështu që vendet e zhvilluara kanë nevojë për këto nga diku tjetër. Dhe fabrikat për këtë po ndërtohen aktualisht në Kinë. Sipas një studimi nga Universiteti i Sussex, prodhuesit gjermanë të makinave janë aq të varur nga tregjet dhe furnizuesit kinezë, saqë Gjermania nuk dëshiron të shkëputet nga Kina. Segmentimi i mundshëm i tregut global të gjysmëpërçuesve mund të çojë në kosto të larta për elektronikën dhe të pengojë përparimet me ritme të shpejta teknologjike me të cilat janë mësuar konsumatorët globalë.

Prof. Dr. Petraq Milo