Të hënën, ministri i Tregtisë i Kinës Wang Wentao u takua në Romë me ministrin e Sipërmarrjeve dhe "Prodhuar në Itali" të Italisë Adolfo Urso. Të dy palët shkëmbyen mendime për tema të tilla si hetimi antisubvencion i BE-së mbi automjetet elektrike kineze dhe bashkëpunimi ndërmjet ndërmarrjeve të mesme e të vogla kineze dhe italiane.
Wang Wentao u shpreh se Italia është "mbretëria" e ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla e pala kineze dëshiron të punojë së bashku me palën italiane për të nxitur bashkëpunimin ndërmjet ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla të të dy vendeve. Bashkëpunimi kino-italian në industrinë e automjeteve ka bazë të fortë e potencial të madh dhe Kina është e gatshme të promovojë investimet e ndërsjella të ndërmarrjeve të automjeteve të të dy vendeve për përfitime të përbashkëta. Por hetimi antisubvencion i BE-së mbi automjetet elektrike kineze ndikon rëndë në besimin e ndërmarrjeve kineze të automjeteve për të investuar në Itali dhe kjo nuk përputhet me interesat afatgjatë të palës italiane. Ministri Wang shprehu shpresën se Komisioni Evropian do t'i zgjidhë mosmarrëveshjet ekonomiko-tregtare Kinë-BE nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve.
Nga ana e tij, Adolfo Urso u shpreh se Kina është partnere e rëndësishme ekonomiko-tregtare e Italisë dhe pala italiane ka dëshirë të fortë për zgjerimin e shkëmbimeve ekonomiko-tregtare me palën kineze dhe për zhvillimin e bashkëpunimit mes ndërmarrjeve të mesme dhe të vogla të të dy vendeve. Industria italiane e automjeteve ka epërsinë e veçantë në projektimin dhe prodhimin e automjeteve. Ministri mirëpriti investimet e ndërmarrjeve kineze të automjeteve në Itali dhe u shpreh se vendi i tij nuk dëshiron të shohë përshkallëzimin e mosmarrëveshjeve tregtare midis BE-së dhe Kinës, sepse kjo do të dëmtojë interesat e palëve të ndryshme. Ai shprehu shpresën se BE-ja dhe Kina do ta zgjidhin siç duhet problemin e hetimit antisubvencion mbi automjetet elektrike kineze nëpërmjet dialogut e konsultimeve. (Fani)