Foto nga MPJ
Kina e dënon fuqishëm dhe e kundërshton me vendosmëri miratimin nga Departamenti i Shtetit i ShBA-së të shitjes së armëve për Tajvanin me një vlerë prej 228 milionë dollarësh dhe u ka paraqitur demarsh të rreptë Shteteve të Bashkuara, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Lin Jian në një konferencë të rregullt shtypi të mërkurën. Ai shtoi se Kina do të marrë kundërmasa të vendosura dhe do të vendosë sanksione ndaj nëntë kompanive industriale ushtarake amerikane.
Lin ritheksoi se shitja nga ShBA-ja e armëve për rajonin e Tajvanit shkel rëndë parimin e "Një Kine" dhe tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane, veçanërisht komunikatën e 17 gushtit, cenon rëndë sovranitetin dhe interesat e sigurisë të Kinës dhe dëmton marrëdhëniet kino-amerikane dhe paqen e qëndrueshmërinë e ngushticës së Tajvanit, duke u dërguar një sinjal të gabuar forcave të "pavarësisë së Tajvanit".
Më tej zëdhënësi vuri në dukje se problemi i Tajvanit është thelbi i interesave thelbësore të Kinës dhe vija e parë e kuqe e pakapërcyeshme në marrëdhëniet kino-amerikane. Askush nuk duhet të nënvlerësojë vullnetin e fortë dhe aftësinë e fuqishme të Kinës për të kundërshtuar "pavarësinë e Tajvanit" dhe për të mbrojtur sovranitetin kombëtar dhe integritetin territorial.
“Pala kineze i kërkon palës amerikane të zbatojë parimin e 'Një Kine' e tre komunikatat e përbashkëta kino-amerikane dhe të ndalojë sa më parë prirjen e rrezikshme të armatimit të Tajvanit, mbështetjen për 'pavarësinë e Tajvanit' dhe dëmtimin e paqes e të qëndrueshmërisë në ngushticën e Tajvanit. Kina do të marrë masa të forta e të vendosura për të mbrojtur sovranitetin, sigurinë dhe integritetin territorial të saj, tha Lin. (Çang Çuo)