Foto nga CFP
Ministri i Ekonomisë i Gjermanisë Robert Habeck ka kërkuar që Bashkimi Evropian dhe Kina të arrijnë një zgjidhje politike për çështjen e tarifave ndaj automjeteve elektrike.
Duke theksuar rëndësinë e Kinës për ekonominë gjermane dhe atë evropiane në përgjithësi, ministri u shpreh se duhet të garantohen kushtet e konkurrencës së ndershme dhe se Gjermania e mirëpret konkurrencën me Kinën.
Deklarata e Habeck-ut u bën jehonë komenteve të qeverisë gjermane në një konferencë shtypi javën e kaluar. Një zëdhënës i saj vuri në dukje se qeveria federale kishte qenë skeptike rreth propozimit të BE-së për tarifat ndaj automjeteve elektrike që nga fillimi dhe ky qëndrim mbetet e pandryshuar. Ai përmendi se kryeministri spanjoll Pedro Sanchez u kishte kërkuar vendeve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian të rishikonin qëndrimin e tyre lidhur me propozimin për tarifa shtesë ndaj automjeteve elektrike kineze.
"Ne jemi shumë të kënaqur që bisedimet ndërmjet Kinës dhe BE po vazhdojnë të parandalojnë tarifa të tilla," tha zëdhënësi, duke shtuar se do të përfitonin të gjitha palët nëse edhe vendet e tjera anëtare të BE-së e pranojnë që tarifat nuk janë në interesin e industrisë së tyre.
Komisioni Evropian vendosi tarifa të përkohshme shtesë ndaj kompanive kineze të automjeteve elektrike në korrik, pas të ashtuquajturit hetim antisubvencion të tij mbi automjetet elektrike kineze të nisur në tetor 2023.
Plani për vendosjen e tarifave ka nxitur shqetësime te ekspertët e industrisë dhe qarqet e biznesit anembanë Evropës. Kritikët argumentojnë se një masë e tillë mund të përkeqësojë forcën konkurruese të Bashkimit Evropian, të pengojë tranzicionin e gjelbër të rajonit dhe të përshkallëzojë tensionet tregtare me Kinën, në vend që të mbrojë industrinë evropiane të automjeteve.