Pse është kaq i rëndësishëm thellimi i reformës për Kinën?
2024-07-17 15:54:18

Kina e filloi Reformën dhe Hapjen në vitin 1978 e gjatë 46 vjetëve të fundit është transformuar nga një ekonomi e varfër dhe e pazhvilluar në ekonominë e dytë më të madhe në botë.

Foto:VCG

Pas Reformës dhe Hapjes, qyteti Shenzhen u shndërrua nga një fshat bregdetar në një metropol ndërkombëtar/Foto:VCG

"Reforma dhe Hapja është një arsye kryesore pse Kina është në gjendje të ecë me hapin e kohës," tha presidenti kinez Xi Jinping në një simpozium të vitit 2023, duke shtuar: "Për të promovuar modernizimin e stilit kinez, ne duhet të thellojmë më tej Reformën dhe Hapjen, të çlirojmë e zhvillojmë vazhdimisht forcat prodhuese shoqërore dhe të nxjerrim në pah e të forcojmë gjallërinë shoqërore."

Wang Chunguang, studiues nga Akademia Kineze e Shkencave Shoqërore, tha se reforma e Kinës tani ka hyrë në një zonë "ujërash të thella”, duke u përballur me detyra më komplekse e më urgjente se më parë, siç është ulja e efektivitetit të reformave të mëparshme, paqartësia e rrugës së reformave të ardhshme dhe ndryshimet në marrëdhëniet ndërkombëtare. Nëse nuk trajtohen siç duhet sfidat shoqërore, ekonomike, kulturore dhe politike nëpërmjet reformave të mëtejshme, modernizimi kinez do të kufizohet ndjeshëm.

Fan Weiqing, profesor i asociuar në Universitetin e Wuhan-it, theksoi nga ana e tij që, ndërsa një raund i ri i revolucionit  tekniko-shkencor dhe i transformimit industrial po merr formë në mbarë botën, dhe konkurrenca tekniko-shkencore po ashpërsohet, thellimi i reformës ka rëndësi jetike për inovacionin teknologjik të Kinës, çka është “vendimtare” për të ardhmen e vendit.

Foto:Xinhua

Zona e tregtisë e lirë në Heihe, provincë Heilongjiang të Kinës Veriore/Foto:Xinhua

Foto:VCG

Fermerë në Xinjiang korrin pambuk me ndihmën e makinave/Foto:VCG

“Për të zgjidhur vargun e kontradiktave e të sfidave të jashtëzakonshme me të cilat përballet zhvillimi i mëtejshëm i Kinës, ne duhet të thellojmë Reformën dhe Hapjen”, është shprehur kreu i shtetit i Kinës. Ai i kushton rëndësi të madhe thellimit të reformës me masa konkrete. Një vit pasi Xi mori detyrën si Sekretar i Përgjithshëm i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës në vitin 2012, qeveria qendrore miratoi një vendim për thellimin gjithëpërfshirës të reformës, me synimin për të përmirësuar dhe zhvilluar sistemin socialist me karakteristika kineze dhe modernizimin e sistemit dhe të kapaciteteve qeverisëse të Kinës.

Që nga ajo kohë, qeveria kineze ka hartuar një udhërrëfyes për thellimin e  gjithanshëm të reformës, duke përpiluar gjithashtu mbi 3 000 plane reforme që përfshijnë institucionet partiake e shtetërore, tokën bujqësore, ndërmarrjet shtetërore, sektorin e financave, transformimin e gjelbër dhe sistemin mjekësor.

Nga të gjitha reformat, ajo ekonomike është fokusi qendror. Xi propozoi që tregu të luajë rol "vendimtar" në shpërndarjen e burimeve, çka është një sinjal i fortë i rregullimit të politikave, pasi në deklaratën e mëparshme zyrtare fjala "vendimtar" ishte "themelor".

Foto:Xinhua

Dronë ndihmojnë në punimin e tokës, Bozhou, provincë Anhui, Kinë Qendrore/Foto:Xinhua

Rezultatet e reformave kanë qenë të jashtëzakonshme. Një plan veprimi trevjeçar për reformën e ndërmarrjeve shtetërore (2020-2022) i shndërroi mbi 165 000 kompani me pronësi shtetërore në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar ose në shoqëri aksionare me përgjegjësi të kufizuar. Rreth 38 000 ndërmarrje të tjera shtetërore krijuan borde drejtuese. Nga viti 2012 deri më 2023, numri i kompanive private në Kinë u katërfishua dhe përqindja e tyre në numrin e përgjithshëm të ndërmarrjeve u rrit nga më pak se 80 % në mbi 92%.

Një raport i Bankës Botërore i publikuar në vitin 2020 bëri të ditur që, për shkak të reformës së saj të qëndrueshme dhe të fortë, Kina ka pasur një përmirësim të jashtëzakonshëm në mjedisin e biznesit dhe është përfshirë në mesin e 10 reformuesve kryesorë globalë për dy vjet me radhë.(Zhang Yan/Artan)