Hapet në Pekin forumi për ruajtjen e trashëgimisë kulturore përmes dixhitalizimit
2024-07-17 15:17:51

Simpoziumi i shtatë Ndërkombëtar mbi Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore përmes Dixhitalizimit (CHCD) filloi të martën në Pekin.

Foto nga organizatori i forumit

Nën temën “Trashëgimia dixhitale e nxitur nga inovacioni teknologjik”, simpoziumi katërditor do të fokusohet në teknologjitë dhe modelet e reja të trashëgimisë dixhitale, me panele dhe ngjarje të shumta të planifikuara, shkruan “Xinhua”.

Mbi 300 përfaqësues nga 20 vende dhe rajone marrin pjesë në simpozium, ku do të prezantohen dhe diskutohen më shumë se 100 raporte profesionale dhe raste që mbulojnë fusha të ndryshme.

Duke iu drejtuar sesionit të hapjes, Yang Bin, nënkryetar i Universitetit Tsinghua, tha se ai beson se diskutimet pioniere të mbajtura në simpozium do të kenë një ndikim pozitiv në zhvillimin e trashëgimisë kulturore, shkencës dhe teknologjisë, arsimit dhe fushave të tjera dhe do të sjellin vlerë të konsiderueshme ndaj shoqërisë.

Xie Bing, nënkryetari i Administratës Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore në Kinë, tha se zhvillimi i shpejtë i teknologjisë dixhitale po krijon mundësi të paprecedentë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Foto nga organizatori i forumit

Ai ftoi më shumë vende që t'i bashkohen Aleancës për Trashëgiminë Kulturore në Azi për shkëmbime dhe bashkëpunim të mëtejshëm në këtë drejtim.

Një ceremoni nënshkrimi u mbajt gjatë këtij forumi për Laboratorin e Përbashkët Kinë-Greqi për Trashëgiminë Dixhitale, ku përfshiheshin një sërë subjektesh nga Kina dhe Greqia. (Irma)