Ministri Balla (Foto Atsh)
Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, foli në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian (KKIE) mbi ecurinë e reformave në kuadër të Procesit të Berlinit rezultatet vjetore të punës së Policisë së Shtetit.
Ministri Balla theksoi se, brenda një viti, Policia e Shtetit ka goditur 61 grupe kriminale dhe ka organizuar 129 operacione ndërkombëtare me agjencitë partnere.
“Në një vit, Policia ka ndërmarrë 1251 operacione kombëtare, pa përfshirë 129 operacione me partnerët ndërkombëtare, 13 janë megaoperacione që kanë vendosur para ligjit 7934 shtetas. Janë goditur 61 grupe kriminale. Janë zhvilluar operacione të përbashkëta me agjenci dhe Polici të huaja. Sapo u përfundua një operacion nën drejtimin e SPAK, kundër trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike”,- deklaroi ministri Balla.
Ai theksoi se me EUROPOL-in janë funksionale 16 skuadra të përbashkëta për procedime të përbashkëta ndaj grupeve kriminale në fusha si trafik narkotikësh, kalim të paligjshëm të kufirit, falsifikim, pastrim të produkteve kriminale etj.
Ai vlerësoi bashkëpunimin e shkëlqyer të Policisë së Shtetit me SPAK dhe Prokuroritë e Juridikut të Përgjithshëm, pa mbështetjen e të cilëve, sipas ministrit, nuk do të ishim në revansh të shtetit kundër paligjshmërisë dhe goditjes së paligjshmërisë
Luftën kundër krimit të organizuar, ministri Balla e renditi si objektiv strategjik, për goditjen e të gjitha formave të veprimtarive kriminale me fokus luftën kundër prodhimit trafikimit dhe shpërndarjen lëndëve narkotike, goditja e trafiqeve të paligjshme në bashkëpunim me agjencitë e partnerët vendas apo të huaj. (Irma)