Programi Creative Europe (Foto Atsh)
Shqipëria është përfshirë në programin e BE-së “Creative Europe”, i cili realizoi mbledhjen e komitetit drejtues në Bruksel, ku u diskutuan ide dhe strategji inovatore për të mbështetur artistët dhe kulturën në Europë, në aprovimin e programit për vitet 2025-2027, shkruan “ATSH”.
“Creative Europe” është programi kryesor i Komisionit Europian për të mbështetur sektorët e kulturës dhe audiovizuale.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, deklaroi se programi ka një buxhet prej 2.44 miliardë euro, krahasuar me 1.47 miliardë euro të programit të mëparshëm (2014-2020).
Objektivat kryesore të programit në vijim janë: ruajtja, zhvillimi dhe promovimi i diversitetit dhe trashëgimisë kulturore dhe gjuhësore europiane; rritja e konkurrencës dhe potencialit ekonomik të sektorëve kulturorë dhe industrisë krijuese, veçanërisht sektorit audiovizual.
Sipas ministrit Gonxhja, risitë e programit do të kontribuojnë në rimëkëmbjen e këtyre sektorëve, duke forcuar përpjekjet e tyre për t’u bërë më gjithëpërfshirës, më digjital dhe më të qëndrueshëm ndaj mjedisit.
Ky program është i ndarë në 3 drejtime: kulturor, media audiovizuale dhe bashkëpunimi ndërsektorial.
“Në hapat e ardhshëm të programit 2025-2027 mezi presim të realizohen e frymëzohen krijimtari që celebrojnë përfshirjen ndërkombëtare të kulturës shqiptare në diversitetin e frymën kulturore europiane”,- tha ministri Gonxhja. (Elona)