Ministrja Balluku (Foto Atsh)
Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndërsa mori pjesë në Konferencën e Nivelit të Lartë për Sigurinë Kibernetike në Ballkanin Perëndimor, organizuar në Tiranë, deklaroi se qeveria shqiptare e ka vendosur në fokus të veçantë zhvillimin digjital dhe mbrojtjen kibernetike, si një prioritet kombëtar në ofrimin e shërbime të sigurta në mbështetje të ekonomisë dhe qytetarëve të saj, shkruan “ATSH”.
Balluku theksoi se falë investimeve të ndërmarra dhe hapave të hedhur sipas standardeve më të mira europiane, Shqipëria është sot shembull i zhvillimit digjital në fushën ekonomike, që ofron më shumë se 99% të shërbimeve online, teksa mbetet prioritet zhvillimi i “cyber security”.
Ministrja bëri të ditur se krijimi dhe ofrimi i shërbimeve të besueshme dhe të sigurta në mjedisin digjital ndërkufitar është një nga prioritetet qeveritare dhe kombëtare të Shqipërisë, pasi e konsiderojmë Ballkanin Perëndimor si një të vetëm.
Sipas saj, integrimi digjital me të gjithë komponentët e tij, ku nuk mungon bashkëpunimi në fushën e sigurisë kibernetike, është një nga shtyllat kryesore të “Grouth Plan”, të miratuar në nëntor 2020 në Samitin e Sofies dhe padyshim që mbetet si një nga drejtimet kryesore për planin e ri të CRM 2025-2028.
Balluku prezantoi hapat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, si dhe nismat ligjore dhe teknike për forcimin e sigurisë kibernetike, por edhe nevojën për një bashkëpunim edhe më të gjerë mes të gjitha vendeve për të qenë sa më të mbrojtur ndaj sulmeve dashakeqëse.
Balluku shprehu angazhimin e Shqipërisë për të avancuar me axhendën digjitale dhe në procesin e integrimit europian, për ndërtimin e rrjeteve të sigurta dhe të qëndrueshme, që të sigurojë kështu ofrimin e shërbimeve të ndërveprueshme dhe të besueshme me përfitime për qytetarët në respektim të lirive dhe të drejtave themelore në mjedisin digjital. (Elona)