Rritja e pagave (Foto Panorama)
Në Shqipëri, pagat janë rritur me ritme të përshpejtuara në dy vitet e fundit, duke reflektuar si mungesën e fuqisë punëtore në shumë sektorë, ashtu dhe rishikimin e tyre në Administratën Publike, shkruan “Panorama”.
Paga mesatare në ekonomi arriti në 70.5 mijë lekë në muaj në vitin 2023, me një rritje prej 14% në raport me vitin e mëparshëm.
E indeksuar me inflacionin, paga mesatare reale në ekonomi u rrit me 8.8%, që është përmirësimi më i madh që nga viti 2015, kur raportohen të dhënat.
“Drejtues administrativë dhe komercialë” është grup-profesioni që ka dhe pagën më të lartë në vend, me 194 mijë lekë në muaj.
Në krahasim me vitin e mëparshëm, paga e tyre është rritur me 15 mijë lekë, ose 8.6%.
Për herë të parë, profesioni i dytë më i paguar në vend është “Specialistë të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit”, me pagë mesatare prej 144 mijë lekë në muaj.
Profesionistët e IT-së kanë marrë mesatarisht 16 mijë lekë, ose 12.6% më shumë në 2023.
Arritja e standardeve të NATO-s dhe mungesa e personelit të kualifikuar po rrit me shpejtësi pagat e oficerëve të Forcave të Armatosura. Ky grup pa rritjen më të lartë të pagave në vitin 2023, si në vlerë (+17.5 mijë lekë), ashtu dhe në përqindje (+19%). (Fatosi)