Fjala kyçe: 侵略---[qīn lüè]---agresion
Wada Chiyoko, anëtare e shoqatës popullore japoneze "Për kërkimin e të vërtetave të Repartit '731' dhe të hedhjes së gazit helmues" / foto nga CMG
Më 7 korrik 1937 militarizmi japonez fabrikoi "Ngjarjen e urës 'Marko Polo'" (Ngjarja e 7 Korrikut), duke shpërthyer gjithanshëm luftën agresive ndaj Kinës, gjë që shënon edhe preludin e rezistencës së kombit kinez kundër agresorëve japonezë.
Në prag të 87-vjetorit të kësaj ngjarjeje, shoqatat popullore japoneze organizuan të shtunën në Tokio një mbledhje për shfaqjen e dy dokumentarëve lidhur me Repartin "731" të ushtrisë japoneze. Organizatorët dhe pjesëmarrësit në këtë aktivitet i bënë thirrje qeverisë japoneze ta shikojë në mënyrë të drejtë historinë e agresionit japonez dhe të reflektojë thellësisht mbi krimet e kryera nga Japonia gjatë luftës së dikurshme.
Në prag të 87-vjetorit të kësaj ngjarjeje, shoqatat popullore japoneze organizuan të shtunën në Tokio një mbledhje për shfaqjen e dy dokumentarëve lidhur me Repartin "731" të ushtrisë japoneze. / foto nga CMG
Dy dokumentarët janë përkatësisht "Viktimat e luftës së mikrobeve" dhe "Të vërtetat e Repartit '731'". Goi Shinji, një ndër organizatorët e aktivitetit dhe anëtar i shoqatës popullore "Nxitja e kujtimeve për trashëgimin e Kanagawa-s", është i mendimit se, me kalimin e kohës, për japonezët e tanishëm është e nevojshme dhe urgjente njohja e krimeve të dikurshme të Japonisë.
"Duhet t'i njohuim sa më shumë njerëz me veprimet e kaluara të Japonisë në Kinë. Ajo luftë, veçanërisht agresioni makabër ndaj Kinës, u ka krijuar shumë njerëzve vuajtje të mëdha. Mendojmë se historia e Masakrës së Nankinit dhe e Repartit '731' duhet të bëhen gjerësisht të njohura te masat popullore japoneze," tha Goi.
Wada Chiyoko, një tjetër organizuese e aktivitetit dhe anëtare e shoqatës popullore japoneze "Për kërkimin e të vërtetave të Repartit '731' dhe të hedhjes së gazit helmues", u shpreh se krimet e dikurshme të Japonisë nuk duhet të harrohen.
"Duam ta njohim publikun me gjendjen e tanishme të viktimave të luftës me mikrobe të ushtruar nga Reparti '731'. Ndërmjet shikimit të materialeve historike në video, duam që japonezët të rishikojnë dëshmitë përkatëse të qarqeve mjekësore japoneze, si autore të krimeve. Nëpërmjet veprimeve të tilla, do të kuptojmë nga një këndvështrim i ri krimet e Japonisë dhe ky është synimi i kësaj veprimtarie," tha Wada.
Organizatorët janë të mendimit që, megjithëse kanë kaluar disa dekada që nga humbja e Japonisë në luftë, shoqëria japoneze ka ende nevojë për një reflektim të thellë lidhur me krimet e kryera gjatë luftës, sepse vetëm kështu do të ketë një njohje të thellë të historisë dhe do të nxirren mësime prej saj.
Goi Shinji shprehet: "Mendoj se Japonia duhet të kërkojë falje në mënyrë solemne për krimet e saj të dikurshme, por deri tani nuk e ka bërë një gjë të tillë dhe për këtë më vjen keq. Çfarë duhet të mësojmë nga kjo luftë është se shpërthimi i luftës është një veprim shumë i marrë."
Një nga pjesëmarrësit e aktivitetit / foto nga CMG
Pas përfundimit të shfaqjes së dokumentarëve, shikuesit shprehën mendimin se duhet reflektuar seriozisht e thellësisht për krimet e Japonisë gjatë luftës dhe për problemet aktuale në mësimin e historisë në Japoni.
Një prej tyre tha: "Pjesëmarrësit e sotëm janë kryesisht të moshuar. Mendoj se shkolla duhet të mbajë përgjegjësi për njohjen e kësaj historie nga të rinjtë. Qeveria japoneze duhet t'i pranojë këto fakte historike dhe të transmetojë herë pas here materiale përkatëse në video, që fëmijët ta njohin të vërtetën."
Kurse një tjetër u shpreh: "Mendoj se duhet t'i ruajmë këto materiale në mënyrë të përhershme, që sa më shumë njerëz ta njohin të vërtetën historike. Kjo është shumë e rëndësishme." (Wang Lei/ Artan)