70 vjet më pas, Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore qëndrojnë më të forta
2024-06-28 12:07:59

⁠⁠⁠⁠⁠⁠⁠Fjala kyçe: 原则---[yuán zé]---parim

foto nga CFP

 Pamja e Pekinit nga Parku Jingshan në qendër të qytetit / foto nga CFP

Kina paraqiti 70 vjet më parë Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore: "respekti i ndërsjellë për sovranitetin dhe tërësinë territoriale, mosagresioni i ndërsjellë, mosndërhyrja e ndërsjellë në punët e brendshme të njëri-tjetrit, barazia e përfitimet e ndërsjella dhe bashkëjetesa paqësore", për të krijuar një tip të ri marrëdhëniesh ndërkombëtare dhe një botë më të mirë në epokën e re. 

Këto ide u paraqitën për herë të parë nga kryeministri i atëhershëm kinez Çu En Lai më 31 dhjetor 1953, kur ai takoi një delegacion të qeverisë indiane. Në qershor të vitit 1954, kryeministri Çu vizitoi Indinë dhe Birmaninë (sot Mianmar). Deklarata e përbashkët e kryeministrave të Kinës e Indisë, e publikuar më 28 qershor, dhe deklarata e përbashkët e kryeministrave të Kinës e Birmanisë, e publikuar më 29 qershor, konfirmuan Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore si parime udhëzuese në marrëdhëniet e tyre dypalëshe. Këto parime u propozuan zyrtarisht si norma për trajtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare. 

foto nga CFP

Kryeministri i atëhershëm i Kinës Çu En Lai, në krye të një delegacioni, mori pjesë në Konferencën në Bandung të Indonezisë më 1955 / foto nga CFP

Në vitin 1955, Dhjetë Parimet e Bandung-ut për trajtimin e marrëdhënieve ndërshtetërore u miratuan në Konferencën Aziatiko-Afrikane në Bandung të Indonezisë, brenda së cilës u përfshinë Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore. Më pas, në procesin e kërkimit prej vendeve të botës së tretë të një rendi më të drejtë politik e ekonomik ndërkombëtar, Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore janë pranuar dhe miratuar nga shumica dërrmuese e vendeve në zhvillim dhe kanë një ndikim më të madh në mbarë botën. 

Në vitin 1970, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi "Deklaratën mbi Parimet e së Drejtës Ndërkombëtare lidhur me Marrëdhëniet Miqësore dhe Bashkëpunimin midis Shteteve në Përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara." Kjo deklaratë përfshinte përmbajtjen e Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore, duke rikonfirmuar pranimin e gjerë të këtyre parimeve nga bashkësia ndërkombëtare.

foto nga CFP

Konferenca për 70-vjetorin e publikimit të Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore në Pekin më 28 qershor 2024 / foto nga CFP

Gjatë 70 vjetëve të fundit, Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore janë pranuar e njohur gjerësisht nga vendet anembanë botës. Ato janë bërë një normë e rëndësishme në trajtimin e marrëdhënieve ndërkombëtare bashkëkohore.

"Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore janë një parim universal që ne mund të ndajmë me një numër vendesh në botë, sepse ato shprehin perceptime pozitive mbi marrëdhëniet ndërkombëtare, veçanërisht i pari, respekti i ndërsjellë për sovranitetin dhe tërësinë territoriale," tha për "Xinhua" Indriana Kartini, studiuese nga Agjencia Kombëtare e Kërkimit dhe Novacionit (BRIN) e Indonezisë.

Deri në fillim të vitit 2024, 183 vende kanë vendosur marrëdhënie diplomatike me Kinën dhe Pesë Parimet e Bashkëjetesës Paqësore mund të shihen pothuajse në të gjitha komunikatat mbi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike apo traktateve dypalëshe.

"Koncepti i ndërtimit të një bashkësie me fatet e përbashkëta për njerëzimin është një trashëgimi e Pesë Parimeve të Bashkëjetesës Paqësore, dhe gjithashtu një pasurim dhe zhvillim i këtyre parimeve," i tha CGTN-it Wang Yiwei, profesor në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare në Universitetin Renmin të Kinës. (Wang Lei/ Artan)