Xi: Bashkësia me fate të përbashkëta Kinë-Vietnam "ka nisur mbarë"
2024-06-27 16:22:12

foto nga Xinhua

foto nga Xinhua

Presidenti kinez Xi Jinping tha të mërkurën gjatë takimit me kryeministrin vietnamez Pham Minh Chinh në Pekin se ndërtimi i një bashkësie me fate të përbashkëta Kinë-Vietnam ka pasur një fillim të mirë.

Kina është e gatshme të punojë me Vietnamin për të ruajtur solidaritetin dhe miqësinë, për të konsoliduar mbështetjen e ndërsjellë dhe për të thelluar bashkëpunimin me leverdi të ndërsjellë, theksoi Xi. Ai shtoi se Kina është e gatshme gjithashtu të bashkëpunojë me Vietnamin për të marshuar drejt modernizimit dhe për të dhënë kontribut më të madh për paqen, qëndrueshmërinë, zhvillimin dhe lulëzimin e botës.

Gjatë takimit, Xi u zotua se Kina do të vazhdojë të thellojë në mënyrë tërësore reformën dhe të çojë përpara modernizimin e stilit kinez, gjë që do të sjellë mundësi të reja për të dy vendet për të zgjeruar bashkëpunimin në ekonomi e tregti, ndërlidhje dhe ekonominë digjitale.

Kina është e gatshme që të inkurajojë më shumë ndërmarrje kineze të shtojnë investimet në Vietnam dhe shpreson se pala vietnameze do të ofrojë një mjedis biznesi të barabartë, të drejtë e jodiskriminues për kompanitë kineze, tha Xi.

Kreu i shtetit kinez vuri në dukje gjithashtu se të dyja palët duhet të trajtojnë si duhet çështjet detare, të përshpejtojnë zhvillimin e përbashkët detar dhe të ruajnë së bashku paqen dhe qëndrueshmërinë në rajon.

Nga ana e tij, Chinh tha se Vietnami mbështet pranimin e Kinës në Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse dhe Progresive për Partneritetin e Trans-Paqësorit (CPTPP) dhe një marrëveshje të tregtisë së lirë me Vietnamin si palë nënshkruese, dhe kundërshton politizimin e çështjeve ekonomike-tregtare dhe shkencore e teknologjike.

Vietnami mbështet qëndrimin e Kinës mbi çështjen e Tajvanit dhe i përmbahet parimit të "një Kine", theksoi Chinh. (Wang Lei/ Artan)