Nis veprimtaria "Udhëtimi i personaliteteve të vendeve të 'Një brez, një rrugë' në Pekin" 2024
2024-10-22 21:24:27

Të hënën në mbrëmje nisi veprimtaria "Udhëtimi i personaliteteve të vendeve të 'Një brez, një rrugë' në Pekin" për vitin 2024, me temën "Zbulimi i mundësive, dëshmimi i modernizimit në Pekin". Në këtë veprimtari janë ftuar personalitete të mbi dhjetë vendeve, përfshirë Shqipërinë, Brazilin, Etiopinë, Kazakistanin, Malajzinë, Rusinë, Serbinë, Taxhikistanin, Tajlandën, Turqinë, ShBA-në e Uzbekistanin, për të filluar një udhëtim eksplorimi në Pekin.

foto CRIOnline

Ceremonia e nisjes së veprimtarisë / foto "CRI Online"

Veprimtaria "Udhëtimi i personaliteteve të vendeve të 'Një brez, një rrugë' në Pekin" organizohet nga Zyra e Informacionit e Bashkisë së Pekinit dhe uebsajti "CRI Online". Qysh prej vitit 2016, ajo është zhvilluar për 10 edicione me radhë, duke ftuar gjithësej 125 personalitete të huaja për të vizituar Pekinin dhe duke i paraqitur botës fugurën e hapur, miqësore, të lulëzuar dhe me vetëbesim të kryeqytetit të Kinës.

Yu Junsheng, drejtori i Zyrës së Informacionit i Bashkisë së Pekinit, mbajti një fjalim në ceremoninë e nisjes  / foto "CRI Online"

Në fjalimin e tij, Yu Junsheng, drejtori i Zyrës së Informacionit i Bashkisë së Pekinit, tha se Pekini ka një histori të lashtë dhe kulturë të pasur. Ai është një nga katër kryeqytetet e lashta të Kinës dhe është qyteti me më shumë trashëgimi kulturore në botë. Pekini i sotëm shërben si qendra politike, kulturore, e shkëmbimeve ndërkombëtare dhe e risive tekniko-shkencore e Kinës. Ai është i vetmi qytet në botë që ka organizuar si Lojërat Olimpike Verore, ashtu edhe ato Dimërore. Ai është gjithashtu një "qytet mundësish", që ka tërhequr njerëz ëndërrimtarë nga vende të ndryshme të botës.

Yu vuri në dukje më tej se gjatë 75 vjetëve pas shpalljes së Republikës Popullore të Kinës, kryeqyteti kinez ka pasur rezultate të dukshme ekonomike e shoqërore dhe pamja e tij ka ndryshuar dita-ditës. Ai shprehu shpresën se personalitetet e ndryshme që marrin pjesë në këtë veprimtari, do të ndajnë përvojën e tyre në Pekin me përdoruesit e internetit në mbarë globin, që sa më shumë njerëz ta njohin këtë qytet.

Fan Jianping, presidenti i uebsajtit "CRIOnline" / foto "CRI Online"

Fan Jianping, presidenti i uebsajtit "CRIOnline", vuri në dukje në fjalimin e tij se ky është edicioni i 10-të i kësaj veprimtarie dhe gjithashtu një pikënisje e re. Ai shprehu shpresën që personalitetet e huaja do ta shijojnë forcat tërheqëse të Pekinit dhe që ata do t'i tregojnë botës historitë e vërteta, të gjalla dhe të ngrohta të Kinës.

Mukhammad Obidov, kryeredaktori i Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të  Uzbekistanit  / foto "CRI Online"

Mukhammad Obidov, kryeredaktori i Agjencisë Kombëtare të Lajmeve të  Uzbekistanit, në emër të personaliteteve të ftuara, tha se popujt e Azisë Qendrore dhe populli kinez kanë dhënë kontributin e tyre për qytetërimin botëror. "Nëse do të mësojmë nga sukseset dhe rezultatet e njëri-tjetrit, popujt tanë do të jetojnë më të lumtur dhe vendet tona do të jenë më të fuqishme. Populli uzbekistanas ka treguar gjithnjë e më shumë interes për vendet fqinje dhe për Kinën, prandaj ai propozon të krijohet një aleancë e gazetarëve të Azisë Qendrore e të Kinës dhe të formohet një platformë unike informacioni, në mënyrë që anëtarët e tij të thellojnë njohjen e njëri-tjetrit," u shpreh Obidov.

Kanat Sakhariyanov, drejtori i  përgjithshëm i Televizionit "Atameken" të Kazakistanit / foto "CRI Online"

Kanat Sakhariyanov, drejtori i  përgjithshëm i Televizionit "Atameken" të Kazakistanit, theksoi në fjalimin e tij se qysh prej vitit 2019, ky televizion ka transmetuar mbi 20 dokumentarë rreth Kinës dhe ka disa programe të rregullta lajmesh për Kinën dhe për "Një brez, një rrugë". Ai tha se këto përpjekje kanë thelluar njohjen e ndërsjellë të të dy vendeve. "Si një punonjës i medias, jam krenar për rolin tonë në nxitjen e paqes dhe miqësisë së fqinjësisë së mirë."

Lukas Fernandez është gazetar dhe drejtues nga Televizioni Global i Brazilit dhe, njëherësh, një bloger me mbi 2 milionë ndjekës në "Instagram". Në vitin 2010 ai filloi udhëtimin e tij global nga Kina dhe pas 14 vjetëve, erdhi përsëri në Kinë. "Zhvillimi dhe ndryshimi i Kinës janë mahnitës," tha ai në fjalimin në ceremoninë e nisjes. "Aktualisht shumë njerëz ende kanë keqkuptime rreth këtij vendi, por dua të them se Kina është një vend që çdo njeri duhet ta vizitojë të pakën një herë."

Gjatë pesë ditëve të kësaj veprimtarie, personalitetet e huaja do të vizitojnë pika kryesore të kryeqytetit të Kinës, si tre objekte kulturore në nënqendrën e Pekinit, zonën industriale ndërkombëtare të robotëve në Yizhuang, Qendrën "Meta" në Stadiumin e Punëtorëve, Muzeun e Pallatit të Dimrit, Kullën Olimpike e Parkun Olimpik në ish-parkun industrial të gizës e të çelikut, që të shijojnë pamjet moderne dhe tradicionale të Pekinit.