Foto nga VCG
Presidenti polak Andrzej Duda mbërriti në Pekin të shtunën, duke filluar një vizitë shtetërore pesëditore në Kinë.
Gjatë vizitës, presidenti kinez Xi Jinping do të zhvillojë bisedime me homologun e vet polak për të përcaktuar zhvillimin e ardhshëm të marrëdhënieve Kinë-Poloni dhe do të ketë një shkëmbim të thellë mendimesh mbi çështjet me interes të përbashkët. Të dy krerët e shtetit do të jenë të pranishëm gjithashtu së bashku në ceremoninë e nënshkrimit të dokumenteve të bashkëpunimit.
Duda do të marrë pjesë edhe në Takimin e 15-të Vjetor të Kampionëve të Rinj të Forumit Ekonomik Botëror, i njohur edhe si Davosi Veror, në Dalian të Kinës Verilindore më 25 qershor.
Ky vit shënon 75-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Kinës dhe Polonisë.
Ish-presidenti polak Bronislaw Komorowski u shpreh në një intervistë për CGTN që Polonia ishte një ndër vendet e para që njohu Republikën Popullore të Kinës.
"Qysh nga ajo kohë, marrëdhëniet dypalëshe janë zhvilluar mbarë në një drejtim me përfitime të ndërsjella," tha Komorovski.
"Kina e sotme është një treg shumë tërheqës dhe nuk ka dallime të mëdha nga tregjet e tjera globale," theksoi ai, duke shtuar se ndryshimet dhe zhvillimi i madh i Kinës janë mahnitëse.
Për vite me radhë, Kina ka qenë partnerja e dytë më e madhe tregtare e Polonisë, ndërsa Polonia ka qenë partnerja më e madhe tregtare e Kinës në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Foto nga VCG
Ambasadori i Kinës në Poloni, Sun Linjiang, bëri të ditur që gjatë pesë vjetëve të fundit, tregtia dypalëshe mes Kinës e Polonisë ka pasur një rritje mesatare më shumë se 10 % në vit dhe arriti vjet në 42 miliardë dollarë.
Në një artikull të botuar të dielën në gazetën kineze “Renminribao”, Sun tha se Polonia ishte një nga vendet e para që nënshkroi memorandumin ndërqeveritar të mirëkuptimit me Kinën për nismën “Një brez, një rrugë”.
Sipas ambasadorit, në tregun polak ka një prirje rritjeje të bizneseve kineze, që kanë bërë investime të drejtpërdrejta me vlerë më shumë se 4 miliardë dollarë.
Sun bëri të ditur që mishi i viçit dhe boronicat nga Polonia gjenden tani në tryezat e familjeve kineze, që kur u nënshkrua vitin e kaluar një marrëveshje mbi hyrjen e prodhimeve polake në tregun kinez.
Ambasadori kinez theksoi që vizita shtetërore e presidentit polak po lëshon një sinjal pozitiv se Kina dhe Polonia po përpiqen për bashkëpunim me përfitime të ndërsjella dhe po punojnë së bashku për të përballuar sfidat.
Foto nga VCG
“Besojmë që takimi mes dy krerëve të shtetit do t'i japë një gjallëri të re zhvillimit të marrëdhënieve ndërmjet të dy vendeve dhe atyre kino-evropiane,” u shpreh përfaqësuesi i diplomacisë kineze në Poloni.