Fjala kyçe: 三角洲---[sān jiǎo zhōu]---deltë
Thellimi i zhvillimit të integruar të Deltës së Lumit Jance ka rëndësi të madhe për Kinën për krijimin e një modeli të ri zhvillimi, për nxitjen e zhvillimit me cilësi të lartë dhe për promovimin e gjithanshëm të ndërtimit të një vendi të fortë dhe kauzën e madhe të rilindjes kombëtare ndërmjet modernizimit të stilit kinez.
Harta e rajonit të Deltës së Lumit Jance prej katër krahinave në Kinën Lindore / foto nga CFP
Me 4 % të sipërfaqes tokësore të Kinës, rajoni i Deltës së Lumit Jance ka rreth 17 % të popullsisë kineze dhe krijon gati 1/4 e vëllimit të përgjithshëm ekonomik të vendit, gjë që e bën atë një ndër rajonet me ekonominë më aktive, nivelin më të lartë të hapjes e aftësinë më të fortë të novacionit. Në tremujorin e parë të këtij viti, PBB-ja e këtij rajoni, që përfshin provincat Jiangsu, Zhejiang e Anhui dhe qytetin e Shangait, arriti në 7.4 trilionë juanë, duke përbërë rreth 25 % të vëllimit të përgjithshëm të vendit. Ndërkohë, potenciali i përgjithshëm dhe aftësia komplekse konkurruese e rajonit të Deltës së Lumit Jance vazhdojnë të renditen në vendet e para në Kinë.
Sot në Deltën e Lumit Jance novacioni i integruar bashkërendues është më aktiv dhe ndërtimi i një bashkësie të risive shkencore e teknologjike është promovuar në mënyrë të gjithanshme. Aktualisht, 43 projekte të novacionit shkencor e teknologjik në këtë rajon po zbatohen në mënyrë intensive nëpërmjet kërkim-zhvillimit të përbashkët ndërrajonal e ndërdisiplinor. Qendra Kombëtare e Novacionit Teknologjik e Deltës së Lumit Jance, e kryesuar nga Shangai dhe në bashkëpunimin me provincat Jiangsu, Anhui dhe Zhejiang, që përfshin gjithsej 97 institute kërkimore profesionale dhe platforma të integruara novacioni, ka transferuar e transformuar më shumë se 9 000 arritje teknologjike, u ka shërbyer më shumë se 20 000 sipërmarrjeve dhe ka qarkulluar burimet novatore në rajonin e Deltës së Lumit Jance.
Sot në Deltën e Lumit Jance, bashkërendimi i integruar industrial po forcohet gjithnjë e më shumë dhe sistemi industrial modern, i përfaqësuar nga qarqet e integruara, biomjekësia dhe inteligjenca artificiale, po përshpejton formimin e tij. Në Deltën e Lumit Jance, një uzinë e prodhimit të automjeteve me energji të reja mund të zgjidhë furnizimin me pjesë këmbimi brenda katër orëve udhëtim me makinë. Mikroçipat softuerikë në Shangai, bateritë dinamike në Jiangsu, makinat e integruara të derdhjes me presion në Zhejiang dhe pjesët e këmbimit të automjeteve në Anhui formojnë një "qark industrial 4-orësh" më të përparuar, më inteligjent dhe më efikas.
Ligatina Yuandang në qytetin Suzhou të Deltës së Lumit Jance / foto nga CFP
Sot në Deltën e Lumit Jance ka një mjedis ekologjik të integruar me mbrojtje dhe qeverisje të përbashkët. Përqindja mesatare e ditëve me cilësi të mirë të ajrit në 41 qytetet kryesore të këtij rajoni arriti në 83.7%, dhe 93.4 % e 594 masave ujore kanë cilësi të mirë të ujit në sipërfaqe. Në zonën e demonstrimit të zhvillimit të integruar ekologjik të Deltës së Lumit Jance, rrjedha e lumit Taipu, që kalon nëpër Jiangsu, Zhejiang dhe Shangai, është e ngarkuar. Të tre këto provinca po veprojnë duke thyer kufizimet gjeografike dhe po përshpejtojnë nxitjen e përmirësimit të lumit, restaurimin ekologjik të ujit e krijimin e peizazhit buzë lumit dhe, pas përfundimit të projektit, do të arrihet lidhja e korridorit ekologjik ndërprovincial dhe linja e gjelbër përgjatë këtij lumi. Aktualisht, kjo zonë ka formuar gjithësej 136 arritje novacioni me integrimin institucional dhe do të vazhdojë të nxitë ndërtimin e 145 projekteve kyçe.
Në Deltën e Lumit Jance është formuar edhe një rrjet i integruar transporti. Deri në fund të vitit 2023, gjatësia në funksionim e hekurudhave me shpejtësi të lartë në këtë rajon i kaloi 14 mijë kilometrat, duke zënë rreth 1/6 të gjatësisë së përgjithshme të hekurudhave me shpejtësi të lartë të mbarë vendit. Është përshpejtuar formimi i një "qarku udhëtimi prej gjysmë ore", i një "qarku jetese prej një ore" dhe i një "qarku të hekurudhës me shpejtësi të lartë prej tre orësh" në Deltën e Lumit Jance.
Kodi dypërmasor për metro i pranuar në katër krahina të Deltës së Lumit Jance / foto nga CFP
"Rrethi i lumturisë" i integruar i jetesës së banorëve po bëhet gjithashtu gjithnjë e më i madh. 173 çështje që kanë të bëjnë me jetën e përditshme, si regjistrimi i foshnjave të sapolindura, transferimi dhe vijimi i sigurimeve mjekësore, ngritja e ndërmarrjeve etj., mund të trajtohen në mënyrë "ndërprovinciale" në Deltën e Lumit Jance. Ndërkohë, karta unike në këtë zonë mund të përdoret për 52 objekte shërbimi për banorët dhe në më shumë se 2 800 pika kulturore dhe turistike.
Katër krahinat e Deltës së Lumit Jance - Shanghai, Jiangsu, Zhejiang dhe Anhui - po përpiqen të nxitin zbatimin e një raundi të ri të planit trevjeçar të veprimit për zhvillimin e integruar të këtij rajoni, duke përshpejtuar përmirësimin e sistemit dhe mekanizmit të integruar të zhvillimit, për të shkruar një kapitull të ri në Deltën e Lumit Jance me modernizimin e stilit kinez. (Wang Lei / Artan)