Debati për emrin, Greqia vështirëson rrugën europiane të Maqedonisë së Veriut
2024-05-23 17:03:25

Kyriakos Mitsotakis (Foto RTSH)

Kyriakos Mitsotakis (Foto RTSH)

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis deklaroi se Maqedonia e Veriut do ta ketë të vështirë rrugën drejt Bashkimit Europian dhe Greqia nuk do t’i ratifikojë marrëveshjet e bashkëpunimit me Shkupin zyrtar, shkruan “RTSH”.

Deklarata e shefit të qeverisë greke vjen në vijim të debatit diplomatik që hapi presidentja e sapozgjedhur e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila është shprehur se nuk i pëlqen të përdorë shtojcën “e Veriut” për emrin e vendit të saj.

Çështja e emrit është zgjidhur me kushtetutë nga ana maqedonase pas Marrëveshjes së Prespës në vitin 2018.

“Në këtë pikë, nuk do t’i ratifikojmë memorandumet mes nesh. Ratifikimi do t’i jepte avantazhe Maqedonisë së Veriut. Vendi duhet të pranojë se periudha zgjedhore ka mbaruar. Maqedonia e Veriut është e izoluar, jo Greqia. Besoj se do të përshtaten sipas trysnisë që kanë për të ndeshur”,- deklaroi kryeministri grek, ndërsa theksoi se lidershipi në Maqedonisë e Veriut duhet të marrë me seriozitet përgjegjësitë që i takojnë dhe të ndalë manovrat e kota politike.

Sipas Mitsotakis, Greqia është e vendosur të respektojë Marrëveshjen e Prespës.

Ditë më parë u raportua se faqja zyrtare e presidentes Gordana-Siljanovska në krye të saj kishte hequr referencat për emrin e vendit sipas Kushtetutës, duke e zëvendësuar me shkurtimin MK ose thjesht Maqedonia.

Edhe në profilin e saj në rrjetin “X”, presidentja maqedonase e përshkruan veten si “presidente e Maqedonisë”. (Elona)