Udhëheqësit politikë e të biznesit evropianë shprehin kundërshtim të fortë ndaj planit të Komisionit Europian
2024-06-13 19:55:04

foto nga VCG

foto nga VCG

Komisioni Europian publikoi të mërkurën një listë të tarifave proteksioniste që do të endoste për importet e automjeteve elektrike nga Kina, duke shkaktuar kundërshtim dhe shqetësim te qeveritë dhe qarqet e biznesit në të gjithë Europën.

Tarifat e përkohshme të parashikuara nga Komisioni Europian për importet e automjeteve elektrike nga Kina do të shkojnë nga 17.4 deri në 38.1 për qind.

Ministri hungarez për Ekonominë Kombëtare Marton Nagy e dënoi masën si tepër proteksioniste. Ai tha në një deklaratë se "proteksionizmi nuk është zgjidhja", duke shtuar se vendimi i Komisionit do të diskriminonte në mënyrë të padrejtë prodhuesit kinezë dhe do të prishte konkurrencën në treg, e cila ka qenë jetike për Bashkimin Evropian.

Nagy theksoi se fokusi i BE-së duhet të jetë në rritjen e forcës konkurruese globale të industrisë evropiane të automjeteve elektrike, jo në vendosjen e tarifave ndëshkuese, pasi një veprim i tillë do të pengonte konkurrencën dhe rritjen e tregut të BE-së.

Ministri federal gjerman për Digjitalizimin dhe Transportin Volker Wissing u shpreh se tarifat do të preknin kompanitë gjermane e eksportet e tyre. "Automjetet duhet të bëhen më të lira përmes shtimit të konkurrencës, tregjeve të hapura e kushteve dukshëm më të mira të vendndodhjes në BE, jo nëpërmjet luftërave tregtare e izolimit të tregut", tha ai në platformën e mediave sociale X.

Tarifat e larta shtesë të BE-së do të devijojnë më tej nga qëllimet e bashkëpunimit global dhe mund të kenë shpejt një ndikim negativ në rast të një konflikti tregtar. Pasojat e mundshme që vijnë nga këto masa mund të jenë më të mëdha se përfitimet e tyre të mundshme për industrinë evropiane - si edhe atë gjermane - të automjeteve, vuri në dukje në një intervistë për agjencinë kineze të lajmeve "Xinhua" presidentja e Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automjeteve Hildegard Mueller.

"Fakti është që ne kemi nevojë për Kinën për të zgjidhur problemet globale, gjë që vlen, në veçanti, për trajtimin e suksesshëm të krizave klimatike", tha Mueller, duke theksuar rolin e Kinës në kalimin drejt së ashtuquajturës lëvizshmëri elektrike dhe në digjitalizimin e industrisë globale të automjeteve.

Kryetari ekzekutiv i kompanisë BMW Oliver Zipse e kritikoi planin e Komisionit Europian si "rrugë e gabuar", duke u shprehur se një gjë e tillë do të dëmtonte kompanitë dhe interesat evropiane. "Proteksionizmi rrezikon të fillojë një spirale, që është tarifat çojnë në tarifa të reja, në izolim dhe jo në bashkëpunim," tha ai.

foto nga VCG

foto nga VCG

Kompanitë e tjera të mëdha gjermane prodhuese të automjeteve, duke përfshirë "Mercedes-Benz" dhe "Volkswagen", shprehën edhe ato mbështetjen e tyre për konkurrencën e ndershme dhe tregtinë e lirë botërore, raportoi media gjermane "Handelsblatt". Prodhuesi më i madh evropian i makinave "Volkswagen" hodhi poshtë tarifat e planifikuara, duke thënë se "efektet negative të këtij vendimi e tejkalojnë çdo përfitim për industrinë evropiane, dhe veçanërisht atë gjermane, të automjeteve".

Qeveria suedeze dëshiron të dijë nëse Komisioni Europian ka përdoruar mundësi të tjera përveç tarifave, tha ministri suedez për Bashkëpunimin Ndërkombëtar për Zhvillimin dhe Tregtinë e Jashtme Johan Forssell. "Ne përgjithësisht jemi skeptikë ndaj tarifave. Dikush duhet t'i paguajë ato e në këtë rast, herët a vonë do të jenë konsumatorët," citoi Forssell-in agjencia suedeze e lajmeve TT.

Prodhuesi shumëkombësh i makinave "Stellantis", në përgjigje të njoftimit të BE-së, shprehu qëndrimin e tij duke mbrojtur konkurrencën e lirë e të ndershme në një mjedis biznesi global dhe duke kundërshtuar masat që çojnë në "fragmentarizimin e botës". Kjo kompani theksoi se, nëpërmjet automjeteve të saj të përballueshme nga ana e kostos dhe bashkëpunimit me prodhuesin kinez të makinave elektrike "Leapmotor", ajo ka besim në konkurrimin me produktet kineze, të cilat kanë epërsi në çmim.

foto nga VCG

foto nga VCG

Hrvoje Prpiç, kryetari i Shoqatës Kroate të Drejtuesve të Automjeteve Elektrike, tha se tarifat e larta nuk do të ndihmonin industrinë evropiane të kapnin ritmin e prodhuesve kinezë të makinave dhe, për më tepër, përdoruesit përfundimtarë në Europë do të përballen me rritje të kostos.

"Bizneset duhet të jenë të hapura dhe tarifat nuk janë të dobishme për shkëmbimet e biznesit," tha Pavol Antaliç, kryetar i Këshillit të Përbashkët të Biznesit Sllovako-Kinez. Duke njohur nivelin e bashkëpunimit me kompanitë kineze në zhvillimin e energjisë së gjelbër, lideri i biznesit sllovak vlerësoi përparimet teknologjike të Kinës në zhvillimin e makinave elektrike me bateri të shkëlqyera për sa i përket cilësisë. "Klientët vendas janë shumë të interesuar për makinat elektrike kineze," vuri në dukje Antaliçi.

Si një vend joanëtar i BE-së, Norvegjia tha se nuk do të pasojë BE-në në rritjen e tarifave për makinat elektrike kineze. Ministri i Financave i Norvegjisë Trygve Slagsvold Vedum e njoftoi vendimin të mërkurën. "Vendosja e tarifave për makinat kineze nuk është as e rëndësishme dhe as e dëshirueshme për këtë qeveri," citon të ketë thënë ai transmetuesi kombëtar norvegjez NRK.    (Fang Xiaoyu/Artan)