Kina: Hetimit antisubvencion të BE-së i mungon baza faktike dhe ligjore
2024-06-14 10:41:45

Foto nga VCG

Hetimit kundër subvencioneve të BE-së i mungon baza faktike dhe ligjore, tha zëdhënësi i Ministrisë kineze të Tregtisë He Yadong të enjten, një ditë pasi Komisioni Evropian njoftoi se do të vendoste tarifa shtesë deri në 38.1 për qind për automjetet elektrike të prodhuara në Kinë.

"Kjo jo vetëm që dëmton të drejtat e ligjshme të industrisë së automjeteve elektrike të Kinës dhe prish bashkëpunimin me dobi të ndërsjellë ndërmjet Kinës e BE-së në fushën e automjeteve me energji të reja, por gjithashtu shtrembëron zinxhirin global të industrisë së automobilave e të furnizimit, duke përfshirë atë të BE-së," tha ai.

He Yadong shtoi se ajo që ka bërë BE-ja është një shkelje e dyshuar e rregulloreve të OBT-së dhe përbën plotësisht një akt proteksionizmi. Sipas zëdhënësit, Kina rezervon të drejtën për të ngritur një padi në OBT dhe do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të mbrojtur të drejtat e ligjshme të ndërmarrjeve kineze.

"Ne i bëjmë thirrje palës evropiane që të ndreqë praktikat e saj të gabuara menjëherë dhe të zbatojë konsensusin e arritur në takimin e fundit trepalësh ndërmjet liderëve të Kinës, Francës dhe Bashkimit Evropian", theksoi He.

Më tej ai shtoi: "Kina dhe BE-ja duhet të qëndrojnë në rrugën e duhur për të pasur marrëdhënie të mira me njëra-tjetrën dhe për t'i trajtuar siç duhet fërkimet ekonomike e tregtare nëpërmjet dialogut e konsultimeve, për të zgjeruar bashkëpunimin dhe për të arritur rezultate me përfitime të ndërsjella me anë të konkurrencës së shëndetshme". (Çang Çuo)