
foto nga VCG
Këshilli për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare i Kinës ka shprehur kundërshtim të fortë ndaj planit të Bashkimit Evropian për të shtuar tarifat për importet e automjeteve elektrike kineze, duke e përshkruar atë si "mjaft të padrejtë" dhe "standard të dyfishtë tipik".
Komisioni Evropian propozoi të mërkurën tarifa shtesë të përkohshme nga 17.4 deri në 38.1 për qind në vendimin e tij paraprak mbi hetimin kundër subvencioneve për automjetet elektrike kineze.
Një zëdhënës i Këshillit për Promovimin e Tregtisë Ndërkombëtare të Kinës theksoi të enjten se KE-ja këmbënguli në vendosjen e tarifave duke mos marrë parasysh faktin që industria evropiane e automjeteve elektrike në fakt nuk pati asnjë dëm, nuk kërkoi ndonjë hetim dhe madje ka shprehur vazhdimisht kundërshtime.

foto nga VCG
Hetimi ka shkelur në mënyrë të hapur rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT), pasi procedura e tij e padrejtë pengoi pjesëmarrjen e prodhuesve kinezë të makinave, tha zëdhënësi, duke shtuar se industritë dhe bizneset kineze do të mbrojnë të drejtat e tyre të ligjshme sipas rregulloreve të OBT-së.
Zëdhënësi e akuzoi BE-në se ka treguar standard të dyfishtë, pasi ka ofruar subvencione të konsiderueshme për industritë e veta të automjeteve elektrike dhe baterive.
Për më tepër, industria kineze e automjeteve elektrike, e integruar thellësisht në zinxhirin global të furnizimit, ka kontribuuar ndjeshëm në zhvillimin e automjeteve elektrike në botë, uljen e lëshimeve të karbonit dhe zhvillimin e gjelbër nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar dhe inovacionit teknologjik, tha zëdhënësi.

foto nga VCG
Sipas tij, abuzimi i KE-së me rregullat e mëkëmbjes së tregtisë të OBT-së minon parimet e tregut dhe prish qëndrueshmërinë dhe sigurinë e zinxhirit global të furnizimit.
Ndërsa kërkoi anulimin e masave tarifore kundër subvencioneve, zëdhënësi theksoi potencialin e madh për bashkëpunimin Kinë-BE në industrinë e automjeteve elektrike dhe bëri thirrje për dialog për të zgjidhur mosmarrëveshjet, bashkëpunim për përfitim të përbashkët për të ulur lëshimet dhe zhvillim të integruar për të arritur objektivat e gjelbra. (Fang Xiaoyu/Artan)
