Foto nga VCG
Me mbështetje teknike nga Grupi i Electricitetit i Francës (EDF), centrali i parë i energjisë bërthamore në Kinë hyri në funksionim më 1994, pas rreth 10 vjetësh ndërtimi.
Qysh prej hapjes së Centralit Bërthamor të Gjirit Daya në qytetin Shenzhen 30 vjet më parë, EDF-ja ka marrë pjesë në ndërtimin e veprave të ndryshme të energjisë elektrike në Kinë, si projekti i energjisë së erës Dongtai në Jiangsu, që është centrali i parë i energjisë detare të erës në Kinë i ndërtuar në bashkëpunim me një vend tjetër.
Kryetari i Shoqatës së Partneritetit të Elektricitetit Kinë-Francë, Fabrice Fourcade, thotë që suksesi i EDF-së në 4 dekadat e fundit varet nga mirëkuptimi i ndërsjellë.
Foto nga VCG
“Kjo do të thotë kuptimi i kulturave, etikës së punës, traditave dhe gjuhëve të njëri-tjetrit,” shkruan ai në një opinion për CGTN-in.
Një prirje e ngjashme e mirëkuptimit të ndërsjellë u ka mundësuar Kinës e Francës të bashkëpunojnë në fusha të tilla si teknologjia, tregtia dhe shkëmbimet kulturore, qysh prej vendosjes së lidhjeve diplomatike në vitin 1964.
Vëllimi i tregtisë ndërmjet Kinës dhe Francës arriti në 78.9 miliardë dollarë në vitin 2023 dhe import-eksporti i Kinës në Francë u rrit me një mesatare vjetore prej 5.9 për qind nga 2019 deri më 2023, sipas të dhënave të Administratës së Përgjithshme të Doganave. Gjithashtu, në tremujorin e parë të këtij viti, vëllimi i përgjithshëm i tregtisë së Kinës me Francën ishte 127.22 miliardë juanë (rreth 17.6 miliardë dollarë amerikanë).
Krahas kësaj, të dy vendet kanë bërë gjithnjë e më shumë investime të ndërsjella gjatë viteve të fundit. Kina ka qenë vendi më i madh aziatik për sa u përket investimeve dhe krijimit të vendeve të punës në Francë për tre vjet radhas. Këtë e bëri të ditur konsulli i përgjithshëm kinez në Marsejë, Dong Guangli, për “La Marseillaise”. Sipas tij, vlera e përgjithshme e investimeve të drejtpërdrejta kineze në Francë është gati 4.9 miliardë dollarë.
Foto nga VCG
Sipas Ministrisë së Tregtisë të Kinës, deri në fund të vitit 2021, 6687 kompani franceze ishin krijuar në Kinë dhe investimet e tyre të përgjithshme ishin mbi 19 miliardë dollarë.
Një nga këto kompani, “Airbus”, ra dakord për një marrëveshje në prill 2023 me Kompaninë e Investimeve në Zonën e Tregtisë së Lirë të Tianjin-it dhe Korporatën e Industrisë së Aviacionit të Kinës për të ndërtuar linjën e 2-të të prodhimit në uzinën e “Airbus”-it në Tianjin.
"Hapja është mundësia më e madhe, ndërsa izolimi është rreziku më i madh. Hapja e Kinës nuk do të ndalet," u shpreh ministri i Jashtëm kinez Wang Yi pas bisedimeve me ministrin francez për Evropën dhe Punët e Jashtme, Stéphane Séjourné, në prill 2024.
"Ne i ftojmë kompanitë franceze të futen thellësisht në tregun kinez dhe të eksportojnë produkte, teknologji e shërbime të cilësisë më të lartë si në tregun kinez, ashtu edhe në tregjet globale, duke gëzuar mundësitë e zhvillimit të Kinës dhe duke i sjellë një impuls të ri zhvillimit global," shkroi ambasadori i Kinës në Francë Lu Shaye në një opinion të tij për CGTN-in. (Jiang Lei)