Të martën paradite, presidenti kinez Xi Jinping u takua në Pekin me kancelarin gjerman Olaf Scholz.
Gjatë takimit, Xi u shpreh se ky vit shënon 10-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve të partneritetit të gjithanshëm strategjik Kinë-Gjermani. Gjatë 10 vjetëve, megjithëse situata ndërkombëtare ka ndryshuar shumë, marrëdhëniet kino-gjermane kanë ruajtur gjithmonë zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëpunimi dypalësh në të gjitha fushat është forcuar e thelluar pandërprerë. Tani bashkësia njerëzore po përballon shumë rreziqe e sfida dhe nevojitet bashkëpunimi midis vendeve të mëdha për zgjidhjen e këtyre problemeve. Kina e Gjermania janë përkatësisht ekonomia e dytë dhe ajo e tretë më e madhe në botë dhe forcimi e zhvillimi i marrëdhënieve dypalëshe kanë rëndësi të madhe për Euroazinë e për gjithë botën. Të dy vendet duhet t'i zhvillojnë marrëdhëniet dypalëshe nga këndvështrimi strategjik për t’i sjellë së bashku botës më shumë faktorë të qëndrueshëm e të sigurt.
Xi Jinping-u theksoi se midis Kinës e Gjermanisë nuk ka mosmarrëveshje themelore interesash dhe të dy palët nuk përbëjnë kërcënim për sigurinë e njëra-tjetrës. Bashkëpunimi kino-gjerman është në favor të të dy palëve dhe të botës.
Kreu i shtetit kinez vuri në dukje më tej se zinxhirët industrialë e furnizues të Kinës e Gjermanisë janë të lidhur thellësisht me njëri-tjetrin dhe tregjet e të dy vendeve janë të ndërvarura. Bashkëpunimi Kinë-Gjermani nuk përbën “rrezik”, por sjell siguri për qëndrueshmërinë e marrëdhënieve dypalëshe dhe është mundësi për të ardhmen. Qoftë në fushat tradicionale të prodhimit të makinerive, të automjeteve etj., apo në fushat e reja të zhvillimit të gjelbër, të digjitalizimit, të inteligjencës artificiale etj., dy palët kanë perspektivë të madhe të bashkëpunimit me përfitime të përbashkëta. Automjetet elektrike, bateritë e litiumit, produktet fotovoltaike etj. të eksportuara nga Kina jo vetëm kanë pasuruar furnizimin global, duke zbutur presionin e inflacionit global, por edhe kanë dhënë një kontribut të madh për përballimin global të ndryshimit klimatik. Kina dhe Gjermania bazohen në industri dhe e përkrahin tregtinë e lirë dhe globalizimin ekonomik. Dy palët duhet të ruajnë vigjilencën ndaj proteksionizmit dhe ta trajtojnë problemin e kapaciteteve prodhuese duke u nisur nga ligjet ekonomike dhe në mënyrë objektive e dialektike, duke shtuar shkëmbimet dhe bashkëpunimin. Kina i përmbahet politikës së hapjes me botën e jashtme dhe shpreson se pala gjermane do t’u ofrojë sipërmarrjeve kineze një mjedis biznesi të barabartë, të tejdukshëm, të hapur e jodiskriminues.
Nga ana e tij, Olaf Scholz-i u shpreh se Gjermania dëshiron të vazhdojë forcimin e marrëdhënieve dypalëshe me Kinën dhe thellimin e dialogut e bashkëpunimit dypalësh në të gjitha fushat, duke promovuar shkëmbimet njerëzore në arsim, kulturë etj. Gjermania do të forcojë koordinimin me Kinën në përballimin e përbashkët të sfidave globale, si ndryshimi klimatik, dhe do të mbrojë rendin ndërkombëtar shumëpolar duke nxitur paqen e zhvillimin botëror. Gjermania kundërshton proteksionizmin dhe përkrah tregtinë e lirë. Si anëtare e rëndësishme e BE-së, Gjermania dëshiron të luajë një rol aktiv për nxitjen e zhvillimit të mirë të marrëdhënieve midis BE-së e Kinës.
Xi Jinping-u theksoi nga ana e tij se, në situatën e tanishme, për të shmangur përshkallëzimin ose madje daljen jashtë kontrollit të konfliktit në Ukrainë, palët e ndryshme duhet të punojnë për të rivendosuar paqen sa më parë. Presidenti u shpreh se Kina inkurajon e përkrah të gjitha përpjekjet për zgjidhjen paqësore të krizës dhe e përkrah zhvillimin e një konference ndërkombëtare të paqes për të diskutuar të gjitha projektet e paqes. Kina dëshiron të mbajë kontakte të ngushta me palët përkatëse, duke përfshirë Gjermaninë.
Dy palët shkëmbyen gjithashtu mendime për probleme të tjera ndërkombëtare e rajonale me interes të përbashkët, duke përfshirë konfliktin Palestinë-Izrael etj., dhe ishin të një mendimi se duhet të zbatohet Rezoluta Nr. 2728 e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për të shmangur keqësimin e mëtejshëm të situatës, duke siguruar hyrjen e vazhdueshme të ndihmës humanitare në Gazë. Të dy palët e përkrahin zgjidhjen sa më parë të problemit të Palestinës në bazë të “projektit të dy shteteve” dhe u bëjnë thirrje vendeve me ndikim të luajnë një rol konstruktiv për mbrojtjen e paqes e qëndrueshmërisë rajonale, duke nxitur zgjidhjen e gjithanshme, të drejtë e afatgjatë të problemit të Palestinës.
Pas takimit, Xi Jinping-u dhe Olaf Scholz-i drekuan së bashku dhe zhvilluan shkëmbime të mëtejshme mendimesh për një gamë të gjerë temash. (Fani)