Kina e ka konsideruar gjithmonë Vietnamin si një përparësi në diplomacinë e saj të fqinjësisë së mirë dhe është e gatshme të punojë me palën vietnameze për të promovuar bashkërisht ndërtimin e një komuniteti Kinë-Vietnam me një të ardhme të përbashkët, tha të enjten ministri i Jashtëm i Kinës Wang Yi.
Wang, gjithashtu anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PKK-së, i bëri këto komente gjatë takimit me ministrin e Jashtëm të Vietnamit, Bui Thanh Son në rajonin autonom Guangxi Zhuang të Kinës Jugore.
Foto nga ministria e Jashtme e Kinës
Wang tha se të dyja palët duhet të punojnë së bashku për të promovuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, për të forcuar komunikimin strategjik të nivelit të lartë, për të përshpejtuar sinergjinë e strategjive të zhvillimit dhe për të vazhduar zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme, duke përfshirë tregtinë dhe investimet, ekonominë digjitale, zhvillimin e gjelbër, energjinë e re dhe mineralet kryesore.
Ai bëri thirrje për shkëmbime më të ngushta njerëzore për të forcuar themelet e opinionit publik, në mënyrë që miqësia mes Kinës dhe Vietnamit të rrënjoset më thellë në zemrat e njerëzve.
Të dyja palët duhet të menaxhojnë siç duhet dallimet, të përshpejtojnë bashkëpunimin detar dhe konsultimet mbi Kodin e Sjelljes në Detin e Kinës Jugore dhe të zgjidhin konfliktet dhe dallimet përmes bashkëpunimit me përfitme të ndërsjella, shtoi ai.
Foto nga ministria e Jashtme e Kinës
Nga ana e tij, Bui tha se pala vietnameze e ka konsideruar gjithmonë Kinën si prioritetin kryesor dhe zgjedhjen strategjike të politikës së saj të jashtme. Sipas tij, Vietnami është i gatshëm të ruajë një koordinim të ngushtë me Kinën për të planifikuar shkëmbime të nivelit të lartë, për të forcuar tregtinë mes palëve, për të promovuar investimet dhe thelluar bashkëpunimin lokal.
Gjatë inspektimi në Guangxi Zhuang, Wang Yi, i bëri thirrje rajonit të vazhdojë të forcojë ndërtimin e kalimeve kufitare.
Wang shtoi se rajoni duhet të shërbejë aktivisht për ndërtimin e një komuniteti Kinë-ASEAN me një të ardhme të përbashkët, të integrohet thellësisht në ndërtimin e nismës “Një brez, një rrugë” dhe të vazhdojë të ruajë reputacionin e shkëlqyer të Ekspozitës Kinë-ASEAN, duke krijuar një korridor ndërkombëtar që hapet në rajonin e ASEAN-it. (Li Huailiang/Edmond)