Kina po luan një rol udhëheqës në tranzicionin e botës drejt energjive të përtëritshme, theksoi zëvendësdrejtorja e përgjithshme e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Përtëritshme (IRENA) Gauri Singh për agjencinë kineze të lajmeve “Xinhua” të hënën në Dubai, ku ajo ndodhet për të marrë pjesë në Samitin e Qeverive Botërore.
“Kina ka luajtur gjithmonë një rol shumë të rëndësishëm në energjinë e përtëritshme”, vuri në dukje Singh teksa uroi popullin kinez për Festën e Pranverës, që sivjet u kremtua më 10 shkurt.
"Viti i Loong-ut mishëron frymën e guximit, gjallërisë dhe ambicies. Ne të gjithë duhet të jemi ambiciozë në mënyrën se si e shohim të ardhmen tonë të përbashkët dhe të ardhmen e planetit," u shpreh ajo.
foto: VCG
IRENA, me 169 anëtarë, është një organizatë ndërqeveritare globale që promovon tranzicionin botëror drejt burimeve të përtëritshme, mbështet vendet në tranzicionin e tyre energjetik dhe ofron të dhëna e analiza të përditësuara mbi inovacionin, politikat, financat dhe investimet e teknologjisë së gjelbër.
Sipas Singh-it, falë rolit të Kinës si një qendër prodhimi, që ul kostot e tranzicionit të gjelbër, një numër i madh vendesh kanë qenë në gjendje të zbatojnë më mirë planet e tyre kombëtare.
Sipas “Statistikave të Kapacitetit të Përtëritshëm 2023” të IRENA-s, të publikuar në mars të vitit të kaluar, Kina kontribuoi për rreth 48 % të rritjes së kapacitetit të përgjithshëm të energjisë së përtëritshme globale më 2022.
Dy të tretat e kapacitetit të ri hidroenergjetik, 45 % e kapacitetit të ri të energjisë diellore, gjysma e kapacitetit të ri të energjisë së erës dhe 57 % e kapacitetit të ri të bioenergjisë në vitin 2022 u instaluan në Kinë.
"E bukura e asaj që bën Kina është se e vë në jetë atë që thotë. Mendoj se ky është edhe një aspekt shumë i rëndësishëm se si e sheh Kina bashkëpunimin ndërkombëtar," u shpreh Singh.
foto: VCG
Ajo shtoi se, megjithatë, ekzistojnë tre sfida kryesore që bota duhet të kapërcejë në sektorin e energjisë së përtëritshme.
"Njëra është se ne ende nuk kemi infrastrukturën për të mbështetur kalimin nga centralet energjetike të qendërzuara në energjinë e përtëritshme," shpjegoi ajo.
"Së dyti, ky është një sektor që vijon të drejtohet nga politikat. Politikat duhet të zbatohen dhe duhet të mundësojnë që të ndodhë tranzicioni."
Së treti, Singh tha se kërkohen më shumë fuqi punëtore dhe aftësi për të mbështetur tranzicionin.
"Ne duhet të sigurojmë që të jetë një tranzicion i drejtë energjetik. Nuk mund të lëmë pas dore disa pjesë të botës dhe të ecim përpara, sepse nuk do të ndodhë kështu," theksoi ajo.
foto: VCG
Më tej zëvendësdrejtorja e përgjithshme e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë së Përtëritshme vuri në dukje: "Roli që luan Kina në mbështetjen e shumë vendeve në zhvillim për të qenë në gjendje të reformohen dhe të ndërtojnë objekte në sistemin e ri energjetik është i pabesueshëm. Nëse kjo vazhdon dhe thellohet, atëherë mund të flasim vërtet për një tranzicion të drejtë energjetik."
Në Emiratet e Bashkuara Arabe zhvillohet nga nga 12 deri më 14 shkurt Samiti i Qeverive Botërore për të ndihmuar vendet që të gjejnë zgjidhje proaktive lidhur me sfidat e ardhshme.
Edicioni i 11-të i samitit ka mbledhur së bashku më shumë se 4 000 delegatë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare, udhëheqës të opinionit dhe drejtues të sektorit privat nga e gjithë bota.
Gjatë samitit, më shumë se 120 delegacione qeveritare dhe 80 organizata ndërkombëtare po diskutojnë mbi rritjen e qëndrueshme ekonomike, inteligjencën artificiale, qeveritë e ardhshme, arsimin, shërbimet shëndetësore, sigurinë ushqimore dhe zgjerimin urban.