foto nga CFP
Më 10 shkurt, Kina do të presë Vitin e Ri Kinez, ose Festën e Pranverës, festa më e rëndësishme tradicionale kineze. Që disa javë para kësaj dite, kinezët kanë qenë të zënë me blerjen e mallrave, pastrimin e shtëpisë, zbukurimin e dhomave, në përgatitje për Vitin e Ri.
Huo Jie, banor i qytetit Taiyuan të Kinës Qendrore:
"Dua të blej disa paralelizma pranverorë dhe fenerë, që të shtoj atmosferën e festës në shtëpi. Mishi, vezët, qumështi, frutat e thata dhe ato të freskëta, të gjitha këto janë të domosdoshme për festën dhe mund të blihen lehtë në treg."
Blerës:
"Do të blej këtu disa meze, fara luledielli dhe karamele. Për Festën e Pranverës duhen shumë ushqime, prandaj dua të blej më shumë."
Në oborrin e znj. Xi në një fshat në kontenë Linan pranë qytetit Hangzhou të Kinës Lindore, gjen shumë ushqime të bëra nga ajo vetë.
"Çdo dimër bëj vetë mish të thatë të ndrequr me erëza dhe rosa të ndrequra me salcë soje. Nga njëra anë, ky është zakoni ynë dhe, nga ana tjetër, dua që mysafirët në familjen time të provojnë ushqimet e shijshme të përgatitura nga ne vetë."
Përvit, në prag të Festës së Pranverës, në qytetin Nankin të provincës Jiangsu të Kinës Lindore zhvillohet aktiviteti i "varjes së paralelizmave pranverorë në portën e qytetit", që qytetarët të shijojnë atmosferën e theksuar kulturore. Sivjet, një palë paralelizmesh të kuqe 15 metra të gjatë e dy metra të gjerë u shfaqën në Portën "Zhonghua".
Banorja e Nankinit Zhou Ying:
"Ndiej atmosferën e theksuar të Festës së Pranverës. Çdo vit mezi pres për të marrë pjesë në aktivitetin e varjes së paralelizmave në portën e qytetit, që është një harmoni midis murit të lashtë të qytetit dhe kohës së re."
Nënkryetari i Shoqatës së Kaligrafëve të Jiangsu-së, Liu Canming:
"Ky është një pasqyrim i jetës sonë moderne ndërmjet formës tradicionale, që të tregojmë dëshirën tonë për një jetë më të bukur."
Sipas kalendarit bujqësor kinez, 2024-a është viti i loongut, që simbolizon fatmirësi dhe shpresë. Tashmë, mallra me elemente të ndryshme të loong-ut shiten mirë në treg.
Manaxherja e një dyqani bizhuterish:
"Me rastin e Vitit të Loong-ut, kemi përgatitur produkte me skicat e loong-ut, që janë dhurata të mira për fëmijët, për miqtë dhe veçanërisht për ata që kanë lindur në Vitin e Loong-ut."
Një blerës në Shangai të Kinës Lindore:
"Mendoj se ky është shumë simpatik dhe shumë krijues, sepse ka të bëjë me Vitin e Loong-ut."
Urusov Volodymyr, profesor i asociuar i historisë në Universitetin Kombëtar të Kievit të Ukrainës, ka jetuar shtatë vjet në Kinë. Festa e Pranverës i ka lënë përshtypje shumë të thella.
Urusov Volodymyr:
Si një nga festat më të rëndësishme tradicionale kineze, Festa e Pranverës është jo vetëm pushim. Ajo ka një tjetër emër: "Guo nian" (Viti i Ri Kinez). Ky është një banket i madh kulturor plot gjallëri dhe gëzim. Kur isha në Kinë u tërhoqa shumë nga atmosfera e ngrohtë e Festës së Pranverës nga doket e zakonet dhe aktivitetet e larmishme kremtuese. Sipas meje, Festa e Pranverës ka një forcë tërheqëse unike.
Atmosfera e saj e ngrohtë më la përshtypje të thellë.
Hungarezi Hajnal Laszlo erdhi në Kinë më 1999 dhe deri më sot ka jetuar e punuar në Pekin për 25 vjet. Ai jo vetëm mund të flasë lirisht gjuhën kineze, por ka mendimin e vet për ndryshimet midis Festës së Pranverës, Vitit të Ri sipas kalendarit bujqësor kinez, dhe Vitit të Ri sipas kalendarit gregorian.
Hajnal Laszlo
Viti i Ri është një festë ose një ngjarje e madhe jo vetëm për kinezët, por edhe për hungarezët dhe kombet e tjera.
Në Hungari, ashtu si në vende të tjera evropiane, e festojmë Vitin e Ri në të njëjtën kohë, më 31 dhjetor dhe 1 janar. Por në Kinë nuk festojnë vetëm kaq, se kinezët kanë edhe "Vitin e Ri" të vet.
Në Hungari, Viti i Ri është vetëm një datë në kalendar, por Festa e Pranverës nuk është vetëm një datë, por një festë e vërtetë e gjithë familjes, ose mund të themi e mbarë vendit.
Gjermani Uwe Krauter ka jetuar në Kinë për 50 vjet. Kur sapo erdhi, ai nuk gjeti asnjë restorant me kuzhinë perëndimore në Pekin, por tani ai mund të shijojë gatimet e mbarë globit. Megjithatë, ai e mban mend qartë Festën e parë të Pranverës që kaloi në Kinë.
Uwe Krauter:
"Kur erdha për herë të parë në Kinë më 1974, nuk e njihja fare Festën e Pranverës. Atëkohë punoja në Shtëpinë Botuese të Gjuhëve të Huaja. Gjatë Festës së Pranverës, një koleg më ftoi në shtëpinë e tij dhe gruaja e tij gatoi gjellët. Po, një gjë shumë interesante. Në mbrëmje kishim një takim me më shumë pjesëmarrës dhe erdhën më shumë kolegë. Biseduam me shumë kënaqësi. Ushqimet ishin shumë të shijshme. Këto janë kujtime të bukura."
Hans Larsson nga Suedia e krahason Festën e Pranverës të Kinës me Krishtlindjet. Sipas tij, këto dy festa janë më të rëndësishmet në dy rajonet përkatëse dhe gjithashtu festa me familjen në thelb.
Hans Larsson, kryezyrtar i teknologjisë i kompanisë "Habia Cable China":
Pas punës së tërë vitit, kur vjen Festa e Krishtlindjeve, do të sjellësh gjërat më të mira në shtëpi t'i ndash me anëtarët e familjes. Zakonisht përgatit bollëk gjërash, p.sh. shumë ushqime, ther një derr më të mirë, për të bërë proshutë. Në Suedi, çdo familje blen ose gatuan shtatë biskota klasike, për të paqyruar begatinë dhe si urim për vitin e ardhshëm.
Mendoj se kjo është e ngjashme me darkën e Vitit të Ri në Kinë.
Parku i Tempullit të Tokës në prag të Festës së Pranverës 2024/ foto nga CFP
Në fakt, si festa më e rëndësishme tradicionale, edhe Festa e Praverës ka kaluar një tranzicion të heshtur. P. sh., për pakësimin e ndotjes ajrore, në shumë qytete ndalohet lëshimi i fishekzjarrëve. Me shumëllojshmërinë e mënyrave të dëfrimit, dhe veçanërisht me përhapjen e smartfonave, shfaqjet tradicionale folklorike, si Vallja e Luanit, etj., po bëhen gjithnjë e më të rralla.
Znj. Shen, mësuese kërcimi në një shkollë të mesme:
"Mendoj se ndryshimi më i madh i Festës së Pranverës nga fëmijëria ime me sot është ndalimi i lëshimit të fishekzjarrëve. Në qytetin tonë nuk mund të hedhim sipas qejfit fishekzjarrë, pra mungon pak shija e festës."
Z. Qian, biznesmen i lëndëve të para:
"Kur isha i vogël, Festa e Pranverës kishte një ndjenjë më të fortë pritjeje e rituali. Mund të kishim pushime të gjata, vakte të pasura, fishekzjarrë, si edhe dhurata me shumë para. Sot Festa e Pranverës nuk ka një atmosferë aq të ngrohtë, por kemi më shumë zgjedhje. Mund të udhëtojmë në vende të ndryshme të botës dhe gjithashtu mund të vizitojmë muze e kafene të parapëlqyera, që të gëzojmë pushimet në mënyrë të qetë."
Sipas të dhënave të publikuara ditët e fundit nga platforma e rezervimeve turistike "Qunar", qysh prej mesit të dhjetorit të vitit të kaluar, është shtuar shumë vëllimi i rezervimit të hoteleve jashtë vendit gjatë Festës së Pranverës, duke arritur kulmin më 10 janar.
Liu Ting, analiste e të dhënave të mëdha në platformën "Qunar":
"Nga rezervimi i biletave për udhëtime jashtë vendit, del se Evropa është destinacioni më i kërkuar. Në krahasim me pushimet e Festës Kombëtare të vitit të kaluar, vendet e Evropës Veriore patën ngritje në renditje. Norvegjia, Finlanda, Danimarka dhe Islanda përfshihen në 30 vendet e para, me një shtim 40 për qind të numrit të rezervimeve."
Stacioni hekurudhor Changsha gjatë "Chun Yun" 2024/ foto nga CFP
Nga 26 janari deri më 5 mars sivjet është kulmi i lëvizjes së kinezëve për të shkuar në vendlindje, për udhëtime turistike dhe për vizita te miqtë në kuadrin e Festës së Pranverës. Kjo periudhë quhet “Chun Yun” (transporti i Festës së Pranverës). Sipas parashikimit, gjatë këtyre 40 ditëve, në Kinë do të bëhen 9 miliardë udhëtime individuale, që përbën një lëvizje të rrallë të popullsisë në botë. "Chun Yun" i Kinës krahasohet si barasvlerës me shpërnguljen e të gjithë banorëve të Afrikës, Evropës, Amerikave dhe Oqeanisë.
Glendi Xhani, pedagog i Institutit "Konfuci" në Universitetin e Tiranës:
“E mbaj mend kur e kam përjetuar për herë të parë (Festën e Pranverës) ka qenë në vitin 2000. Atëherë nuk kisha shumë informacione rreth kësaj feste, por vura re që, kur po afrohej Viti i Ri, qyteti i Pekinit u mbush plot me ngjyrë të kuqe dhe papritur pashë që shumë njerëz mungonin nëpër rrugë, ishte sikur qyteti u boshatis. M'u duket pak e çuditshme dhe e pyeta një mikun tim që jetonte atje me vite: 'Ku kanë ikur gjithë këta njerëz?' Ai më tha që shumica e njerëzve që kanë ardhur këtu për një jetë më të mirë, për të punuar ose për të studiuar, zakonisht kthehen në vendilindjen e tyre për ta festuar me familjarët, sepse një nga gjërat kryesore për të kaluar këtë festë është të qenët pranë familjes.”
Urusov Volodymyr:
Mbaj mend se gjatë Festës së Pranverës, stacionet ishte mbushur plot e përplot me njerëz. Një turmë aq e madhe njerëzish më ka mbetur në mend edhe sot. Festa e Pranverës nënkupton ngrohtësi dhe gëzim, fishekzjarrë, valle luani e valle loong-u, ngjitja në dritare e letrave të prera dhe e paralelizmave dhe hieroglifin "Fu" (fatmirësi) në derë. Ka gjithashtu jiaozi (ravioli kineze) në vigjilje dhe meze në panaire tempujsh...Këto kanë forcë të madhe tërheqëse. Sot vendet e ndryshme të botës e kremtojnë bashkërisht këtë festë plot përmbajtje kulturore. Festa e Pranverës e Kinës është ndërkombëtarizuar dhe i përcjell çdo individi gëzim.
Valle loongu në Malajzi në prag të Festës së Pranverës 2024/ foto nga CFP
Festa e Pranverës, si pjesë përbërëse e kulturës tradicionale kineze, por ecën drejt botës dhe bota po e përqafon këtë festë me ngrohtësi. Afro 20 vende të botës e kanë përcaktuar atë si festë zyrtare. Në fund të vitit 2023, në Asamblenë e 78-të të Përgjithshme të OKB-së u miratua rezoluta që e përcakton Festën e Pranverës si ditë pushimi të kësaj organizate. Kjo rezolutë i jep Festës së Pranverës më shumë veçori ndërkombëtare dhe do të nxitë shkëmbimet midis qytetërimeve të ndryshme të botës.
Abdulaziz Alshaabani, studiues i çështjeve kineze nga Arabia Saudite:
“Ashtu si çdo festë tradicionale, Festa e Pranverës e Kinës është bërë e famshme në mbarë botën, falë rëndësisë së saj për kinezët, kthimit të tyre në vendlindje për kalimin e festës me familjen e tyre dhe falë përhapjes ndërmjet mediave dhe rrjeteve sociale, nëpërmjet kremtimeve të kinezëve dhe dokeve e zakoneve të tyre gjatë festës. Më e rëndësishmja është interesi i tyre për bashkimin me familjen dhe ngrënien e ushqimeve tradicionale së bashku. Kjo tregon se kultura kineze u kushton rëndësi lidhjeve familjare, çka e bën të ngjashme me kulturën arabe e islame.”
Vicentiu Gheorghe, presidenti i nderit i Shoqatës "ChinaRo":
“Populli kinez po ndërton modernizimin me karakteristika kineze dhe po zhvillon qytetërimin material e shpirtëror me karakteristika kineze. Besoj se ai do ta ndërtojë botën e vet shpirtërore në bazë të qytetërimit kinez dhe të ndajë me botën rezultatet e reja të qytetërimit.”