Foto nga VCG
100 vjet më parë, kur Henri Fordi e ndryshoi krejtësisht prodhimin modern të makinave, inxhinierët prej mbarë botës vërshuan për në ShBA. Ndërsa në ditët e sotme, "Volkwagen"-i ka dërguar 300 punonjës në Kinë për të mësuar lidhur me prodhimin e baterive; kompania kineze CATL e ka ndihmuar "Fordin" të ndërtojë fabrikën e baterive; ndërmarrjet kineze kanë filluar të eksportojnë teknologji dhe marka ... Ngritja e sektorit të baterive të Kinës po sjell ndryshime të thella në prodhimin global të automjeteve.
Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Industrisë dhe e Teknologjisë së Informacionit e Kinës, më 2023, Kina eksportoi bateri me një kapacitet të përgjithshëm 127.4 GWh, 87.1 % më shumë se në vitin 2022, dhe përmasa e këtij tregu u rendit në krye në shkallë globale për shtatë vjet me radhë. Destinacioni më i madh i eksportit është Europa, e pasuar përkatësisht nga ShBA-ja dhe Azia Juglindore. Krahas kësaj, prej dhjetë ndërmarrjeve kryesore të baterive të makinave në botë, gjashtë janë kineze.
"Nikkei Shimbun" ka bërë një analizë në bazë të të dhënave prej 13 mijë kompanive që kanë lidhje biznesi me "Tesla"-n, sipas së cilës afro 40 % e furnizuesve të përbërësve të baterive për këtë kompani të prodhimit të automjeteve elektrike janë nga Kina. Gazeta "New York Times" vuri në dukje që, për arsye të fuqisë së madhe të Kinës në prodhimin e baterive të makinave, “pa Kinën ShBA-ja nuk mund të realizojë ekonominë e gjelbër”.
Arritjet e sektorit kinez të baterive bazohen në shumë epërsi konkurruese.
Foto nga VCG
Sekretari i përgjithshëm i Federatës së Informacionit të Tregut të Automjeteve të Udhëtarëve të Kinës, Cui Dongshu, tha në një intervistë për CMG-në që bateritë e makinave të prodhuara nga Kina kanë epërsi të pazëvendësueshme. Lëndët kryesore për bërjen e këtyre baterive mund të prodhohen në mënyrë të pavarur në Kinë dhe është formuar një zinxhir i plotë në këtë drejtim. Të dhënat tregojnë që lidhur me bateritë e litiumit, kompanitë kineze zënë mbi 60 % të tregut. Me një nivel prodhimi dhe shitjeje të makinave kineze me energji të re që i kalon 60 % të botës, duke u renditur për nëntë vjet me radhë në vendin e parë në shkallë globale, bateritë e makinave kanë fituar më shumë hapësirë zhvillimi.
Të dhënat tregojnë që, në vitin 2023, mbi 80 % e materialeve kyçe për bateritë e litiumit në botë vinin nga Kina. Duke marrë si shembull kobaltin, "New York Times" u shpreh se, që nga nxjerrja e përpunimi dhe deri në prodhimin e përbërësve prej këtij metali, Kina ka epërsi në çdo pjesë të zinxhirit të prodhimit të baterive të makinave elektrike dhe vendeve të tjera të botës ndoshta do t'u duhen dhjetëra vjet për ta arritur.
Zv.presidentja e "Tesla"-s Tao Lin u shpreh për CMG që epërsia e "Tesla"-s në prodhim është e pandarë nga zinxhiri i fuqishëm dhe i plotë i furnizimit i Kinës. "Në 10 vitet e fundit, 'Tesla' e ndërmarrjet kineze kanë ndihmuar globalizimin e sektorit të makinave të Kinës. Suksesi i 'Tesla'-s në Kinë në një shkallë të gjerë është suksesi i zinxhirit të furnizimit të Kinës,” tha Tao.
Foto nga VCG
Në të njëjtën kohë, prodhimet kineze të baterive kanë cilësi të qëndrueshme dhe kosto relativisht të ulët, duke u mirëpritur nga kompanitë e makinave nga vende të ndryshme. Më 2020, "Volkswagen" u bë kompania e parë e huaj e makinave që investoi drejtpërdrejt në ndërmarrjet kineze të prodhimit të baterive. "Volkswagen" parashikon që, deri më 2030, ndër të gjitha modelet e makinave të prodhuara në botë, ai do ta ulë koston e përgjithshme të qelizave të baterive me 30 %, dhe kostoja e baterive për makina të nivelit fillestar do të ulet me 50 %. Një person nga "Volkswagen" i tha CMG-së se "bashkëpunimi i thellë me kompanitë vendase kineze të baterive na ka ndihmuar të përmirësojmë më tej strukturën tonë të kostos e pritet të rritë ndjeshëm konkurrueshmërinë tonë në sektorin e baterive".
Më e rëndësishmja është që inovacioni dhe përshpejtimi i procesit të globalizimit është bërë kyçi i suksesit të ndërmarrjeve kineze. Sipas të dhënave nga Shoqata e Prodhuesve të Automjeteve e Kinës, tani patentat nga Kina për bateritë e makinave zënë 74 % të vëllimit të përgjithshëm botëror dhe Kina është bërë prodhuesja më e madhe e motorëve elektrikë.
(Jiang Lei)