Foto/CMG: Një pamje e ajsbergut të gjelbër në detin Amundsen të Antarktidës.
Anija akullthyese kineze Xuelong-2 (Dragoi i dëborës-2) ka arritur në detin Amundsen të Antarktidës, një zonë kyçe për studimet mbi kontrollin e rritjes së nivelit të detit, duke dëshmuar një pamje befasuese në zemër të Antarktidës: një ajsberg kolosal që vezullon me një shkëlqim smeraldi mbinatyror.
Kina po kryen studimin e saj të dytë gjithëpërfshirës në detin Amundsen gjatë ekspeditës së 40-të shkencore në Antarktidë dhe anija e saj akullthyese Xuelong-2 hyri në një zonë të dendur akulli lundrues rreth detit Amundsen të enjten në mëngjes.
Ekuipazhi adaptoi itenerarin e udhëtimit bazuar në të dhënat në kohë reale të radarëve të detektimit të akullit të detit dhe imazhet satelitore me sensorë në distancë. Ky takim dramatik shënon një kapitull të ri në eksplorimin polar dhe kërkimin shkencor të Kinës.
“Ne kemi hyrë në zonën e dendur të akullit lundrues dhe do të mbajmë një shpejtësi të sigurt për të shmangur goditjen e një cope të madhe akulli ose ajsbergu. Dhe nëse hasim copa të mëdha akulli të trasha, anija jonë është në gjendje të thyejë masivë me trashësi 1.5 metra plus 0.2 metra borë që mbulon akullin.” – thotë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) kapiteni i akullthyesit kërkimor Xuelong-2, Xiao Jinfeng.
Foto/CMG: Një pamje e akullit të zambakut, ose akullit të petullave, në detin Amundsen të Antarktidës.
Akulli i detit dhe ajsbergët në Antarktidë janë normalisht të bardhë, ndaj ato me ngjyra të veçanta kanë tërhequr vëmendjen e shkencëtarëve.
Duke folur për foton e një ajsbergu të gjelbër, profesor Shi Jiuxin nga Universiteti Oqean i Kinës, i tha CMG-së se ajsbergu jeshil u formua nga copa akulli të akullnajave që përmbajnë oksid hekuri nga shtresa e akullit të Antarktidës që kishte rënë në det. “Ky ajsberg tregon ngjyrën e gjelbër. Në fakt kjo pjesë që ne shohim këtu është ajo që është rrokullisur pasi fillimisht ishte fshehur nën sipërfaqen e detit. Tani duket e gjelbër sepse përmban pak hekur”.
Madje disa akuj deti në Antarktidë shfaqin ngjyra të verdha dhe kafe. “Pasi anija Xuelong-2 theu akullin dhe e përmbysi atë me kokë poshtë, ne mund të shihnim drejtpërdrejt fundin e saj të verdhë, si kjo, e cila është në të vërtetë ngjyra e algave, të cilat ne i quajmë alga të akullta dhe janë burimi kryesor i dietës për gjallesat e ujërave të ngrira.” - shton profesor Shi.
Për më tepër, edhe në dimër, disa zona të sipërfaqes së detit në Antarktidë mbeten të pa ngrira, duke formuar atë që shkencëtarët e quajnë polynyas. “Kur era është e fortë, akulli i detit shpërthen. Ata përplasen me njëri-tjetrin dhe skajet trashen dhe formojnë këtë akull. Në Kinë, në përgjithësi quhet akull zambak, i cili ngjason mjaft me gjethet e zambakut, ndërsa njerëzit në vende të tjera e quajnë akull petullash, sepse duket si një picë, i trashë në skaje dhe i hollë në mes.” - shpjegon Shi.
Foto/CMG: Një pamje e një ajsbergu të bardhë në detin Amundsen të Antarktidës.
Faktorë të shumtë, kryesisht të lidhur me aktivitetet njerëzore, kontribuan në një rënie drastike të shkallës së akullit të detit Antarktik në vitin 2023, thonë ekspertët.
Studimi i akullit të detit të Antarktidës është shumë i rëndësishëm për adresimin e ndryshimeve klimatike globale. Hulumtimet e fundit sugjerojnë se zona e akullit të detit Antarktik ka shënuar një rekord të ulët në vitin 2023.
Profesor Liu Tingting nga Qendra kineze e Anketimit dhe Hartëzimit të Antarktikut në Universitetin Wuhan, tha për CMG-në se “shtrirja e akullit të detit të Antarktikut ka arritur një nivel të ri të ulët historik në verën e hemisferës jugore në vitin 2023”.
“Kjo është një çështje me shqetësim të madh për të gjithë. Deri më tani, kam vlerësuar përafërsisht se shkalla e akullit të detit në Antarktidë këtë verë është ulur me mbi 10 për qind (krahasuar me nivelin e viteve 2015-2016).” - tregon profesor Liu.
Foto/CMG: Anija akullthyese kineze Xuelong-2 arrin në detin Amundsen të Antarktidës.
Të dhënat e lëshuara nga Qendra Kombëtare e të Dhënave të Dëborës dhe Akullit të ShBA-së tregojnë se shkalla e akullit të detit Antarktik është në nivelin e saj më të ulët që nga fillimi i regjistrimeve 45 vite më parë. Në mes të korrikut 2023, që është dimri në hemisferën jugore, zona e akullit të detit Antarktik është ulur me 2.6 milionë kilometra katrorë në krahasim me mesataren e viteve 1981-2010. Kjo masë është pothuajse e njëjtë me sipërfaqen e tokës së Argjentinës.
Një raport kërkimor i publikuar nga Agjencia Evropiane e Hapësirës tregon se në 25 vitet e fundit, masa e 48 platformave të akullit të Antarktidës është ulur me më shumë se 30 për qind në krahasim me sipërfaqen e saj origjinale.
“Një nga faktorët kryesorë ndikues janë anomalitë në qarkullimin atmosferik dhe atë oqeanik. Anomalitë në qarkullimin atmosferik përfshijnë modalitetin unazor atmosferik dhe ndikimin e cikloneve, si dhe ndikimin e vorbullave polare të stratosferës. Ndërsa anomalitë oqeanike përfshijnë ngrohjen e nënsipërfaqes të Oqeanit Jugor.” - thotë profesor Liu Tingting.
Për më tepër, ndikimi i vrimës së ozonit mbi Antarktidë është gjithashtu një faktor i rëndësishëm dhe shumica e këtyre faktorëve lidhen me aktivitetet njerëzore.
Studiuesit kanë paralajmëruar gjithashtu se ulja drastike në zonën e akullit të detit Antarktik mund të ketë pasoja serioze për pinguinët dhe kafshët e tjera që shumohen dhe rrisin pasardhësit e tyre në akullin e detit. Ajo do të zvogëlojë sasinë e dritës së diellit që reflektohet përsëri në hapësirë nga akulli i bardhë për të përshpejtuar edhe ngrohjen globale. (Fang Xiaoyu/Laçi)