Foto nga VCG
“Në qoftë se hedhim një vështrim pas në vitin 2023, për çfarë do të mendojmë? Për fëmijët që po qajnë në rrënoja pas sulmeve? Për dallgët e furishme nga ujërat e ndotura bërthamore? Apo për fytyrat e krijuara nga inteligjenca artificiale që duket sikur kanë ose nuk kanë ndryshim? Për vitin 2024, çfarë po presim ne?” Këto pyetje shtron Grupi Mediatik i Kinës në fillim të një komenti të tij.
Ditët e fundit, shoqata gjermane e gjuhëve “GfdS” publikoi fjalët e vitit 2023 dhe ndër to, “Krisenmodus” (gjendje krize) u bë zgjedhja kryesore. Është e vërtetë që për vitin 2023, “krizë” është një fjalë që mbulon tërë botën.
Gazetari i Radios Kombëtare të Moldavisë Anatol Caciuc u shpreh: “Mosmarrëveshjet ushtarake në Ukrainë ende nuk kanë mbaruar, në Rripin e Gazës ka pasur shpërthime të reja konflikti. Njerëz të pafajshëm, duke përfshirë edhe fëmijët, kanë humbur jetën dhe e ardhmja e banorëve aty është shkatërruar.”
Në raundin e ri të konfliktit palestinezo-izraelit që shpërtheu në tetor 2023, numri i të vdekurve i ka kaluar 20 mijët. Ky konflikt jo vetëm që e ka komplikuar gjendjen në Lindjen e Mesme, por ka edhe një ndikim të përhapur në gjendjen globale. Kurse në Europë, kriza e Ukrainës ka zgjatur për pothuajse 2 vjet, konfliktet po ndodhin çdo ditë dhe loja gjeopolitike mes Rusisë dhe vendeve perëndimore po intensifikohet.
Kreu i Degës për Monitorim Ekonomik Global të Departamentit të Çështjeve Ekonomike dhe Shoqërore të OKB-së Hamid Rashid u shpreh: “Kriza e Ukrainës është një tronditje e madhe për ekonominë botërore, që prek jo vetëm Ukrainën e Rusinë, por edhe vendet fqinje të tyre, Europën dhe pjesën tjetër të botës në mënyra të ndryshme.”
Këto dy konflikte tregojnë që kërkimi i sigurisë për veten duke dëmtuar sigurinë e të tjerëve nuk funksionon. Kina propozon një siguri të përbashkët, të gjithanshme, në bashkëpunim dhe të vazhdueshme. Në krizën e Ukrainës dhe konfliktin Palestinë-Izrael, Kina gjithmonë qëndron në anën e dialogut e të paqes dhe ka luajtur rol pozitiv për ndaljen e konflikteve dhe zgjidhjen politike të krizave.
Ish-drejtori i çështjeve europiane dhe ndërkombëtare të landit gjerman të Hesenit, Dr. Michael Borchmann, u shpreh: “Përballë luftërave dhe konflikteve, Kina zbaton konceptin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit dhe gjithmonë përpiqet për mirëkuptim dhe balancim. P. sh., në fillim të vitit, Ministria e Jashtme kineze paraqiti një dokument me 12 pika, duke dhënë propozime të qarta për përfundimin e konfliktit në Ukrainë. Kina është e angazhuar për paqen dhe çoi një të dërguar të posaçëm në Ukrainë. Kjo tregon përpjekjet serioze të Kinës për paqe dhe ekuilibër në botë.”
Gazetari Anatol Caciuc u shpreh: “Roli i Kinës në zgjidhjen e konfliktit në Lindjen e Mesme është po aq i rëndësishëm. Për mendimin e shumë analistëve ndërkombëtarë, mbështetja e Kinës për nismën e armëpushimit është shumë e fortë, përfshirë edhe në takimet e Kombeve të Bashkuara. Ata i referohen gjithashtu një marrëveshjeje të rrallë midis Iranit dhe Arabisë Saudite të ndërmjetësuar nga Pekini këtë vit.”
Foto nga VCG
Asnjë vend nuk mund t’i përballojë i vetëm sfidat globale, vijon komenti i CMG-së. Bashkësia ndërkombëtare ka nevojë për bashkëpunim, mirëkuptim dhe unitet. Në tetor, në forumin e 3-të të bashkëpunimit ndërkombëtar lidhur me “Një brez, një rrugë” të zhvilluar në Pekin, u lëshua një sinjal i fortë për shtimin e bashkëpunimit. Kryetari i shtetit i Kinës Xi Jinping paraqiti tetë veprimet për bashkëndërtimin me cilësi të lartë të “Një brez, një rrugë”, çka ka kontribuuar me mençurinë kineze për përsosjen e qeverisjes globale dhe ruajtjen e barazisë ndërkombëtare.
Eksperti i çështjeve kineze nga Arabia Saudite, Abdulaziz Alshaabani, u shpreh: “Kjo (ndërtimi i përbashkët i ‘Një brez, një rrugë’) e çon botën drejt një fati të vetëm dhe të përbashkët që njerëzit aspirojnë, duke punuar për të shkëmbyer përfitime e interesa që vendet dhe popujt e tyre aspirojnë. Kjo nismë kineze e mahnit botën me qëllimet e saj, që do ta çojnë atë në nivele më të larta dhe më të mira zhvillimi në të ardhmen.”
Foto nga VCG
Në takimin e 15-të të liderëve të BRICS-it që u zhvillua në gusht, 6 vende, si Arabia Saudite, Egjipti dhe Irani, u anëtarësuan zyrtarisht në këtë organizatë, çka simbolizon që ky mekanizëm bashkëpunimi ndërkombëtar është zgjeruar në 11 vende anëtare.
Studiuesi brazilian i historisë dhe psikologjisë shoqërore dhe anëtar i Institutit të Studimeve Shoqërore “Trikontinental” Marco Fernandes theksoi: “Ky fakt tregon që ky mekanizëm bashkëpunimi po konsiderohet gjithnjë e më shumë nga vendet jugore si mjet i rëndësishëm për kërkimin e zgjidhjeve alternative për zhvillimin.”
Në Konferencën e 28-të të Konventës Kornizë të OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike, të mbajtur në Dubai në fund të vitit, u bë rishikimi i parë global mbi zbatimin e Marrëveshjes së Parisit, duke demonstruar vendosmërinë e bashkësisë ndërkombëtare për të ndërmarrë veprime të përbashkëta ndaj ndryshimeve klimatike. Që nga viti 2020, Kina bëri premtim për të "arritur kulmin e karbonit deri në vitin 2030 dhe asnjanësimin e karbonit deri më 2060", dhe e përfshiu këtë në strategjinë e përgjithshme të punëve për qytetërimin ekologjik.
Studiuesi i laboratorit të BRICS-it pranë institutit EURISPES të Romës, Fabio Massimo Parenti, thotë: “Premtimet e Kinës për zhvillimin e gjelbër kanë pasur efekte të dukshme dhe Kina është bërë vend udhëheqës në botë për energjinë e pastër, pyllëzimin dhe luftën kundër shkretëtirëzimit. Le të shikojmë shifrat e Kinës në sektorët e mbrojtjes mjedisore. Tani niveli i mbulimit me pyje në Kinë ka arritur në 24.02 %, niveli i lëshimit të karbonit është ulur mbi 35 % dhe është ndërtuar tregu më i madh i karbonit dhe sistemi më i madh i prodhimit të energjisë së pastër elektrike në botë.”
Foto nga VCG
2023-shi është 20-vjetori i vendosjes së partneritetit të gjithanshëm strategjik mes Kinës dhe BE-së. Të dy palët kanë zhvilluar shumë shkëmbime të nivelit të lartë. Pas pandemisë, takimi i parë i liderëve Kinë-BE u zhvillua me sukses në Pekin dhe pati arritje të shumta. Në 20 vitet e fundit, tregtia Kinë-BE ka pasur rritje me afro 9 herë dhe investimet e BE-së në Kinë janë shtuar gati trefish. Bashkëpunimi Kinë-BE ka krijuar hapësirë të gjerë për përfitime të përbashkëta.
Drejtori i ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Zhvillim të Vazhdueshëm, Enriko Ceko, u shpreh: “Politikat e Kinës përpiqen për paqen dhe zhvillimin e botës. Kjo përshtatet shumë me objektivat e Europës, sidomos politikat strukturore të BE-së. Posaçërisht në sigurinë globale, lulëzimin e përbashkët dhe krijimin e bashkësisë me fate të përbashkëta të njerëzimit, të dy palët kanë hapësirë të gjerë bashkëpunimi.”
Takimi i liderëve të Kinës dhe ShBA-së në San-Francisko është një ngjarje e madhe globale. Analistët janë të mendimit që marrëdhëniet Kinë-ShBA po tregojnë një prirje stabilizimi, çka do të sjellë më shumë qartësi dhe qëndrueshmëri në situatën botërore.
Ish-kryeministri rumun Adrian Nastase u shpreh: “Për mendimin tim, takimi mes dy presidentëve është thelbësor për uljen e tensioneve ndërmjet dy vendeve dhe në nivel global, dhe gjithashtu në dimensione shumë të rëndësishme, që janë ndryshimet klimatike dhe inteligjenca artificiale. Është një hap i rëndësishëm dhe, për mendimin tim, mund të vërejmë se ky është një moment historik.”
Përhapja e konflikteve rajonale, gjendja e dobët e tregtisë ndërkombëtare dhe rritja e proteksionizmit janë të gjithë faktorë të pafavorshëm që ndikojnë seriozisht në rimëkëmbjen e ekonomisë botërore. Shumë vende kanë marrë masa stimuluese për të gjetur mënyra rritjeje dhe për të nxitur rimëkëmbjen ekonomike.
Presidenti i nderit i shoqatës ChinaRo të Rumanisë, Vicentiu Gheorghe, tha: “Në muajt e fundit, pasiguria dhe rreziqet e rënies për perspektivën ekonomike janë shtuar në sfondin e krizës së Ukrainës, si dhe të konfliktit në Lindjen e Mesme. Deri më tani, ndikimi në tregjet e energjisë, ndërsa është i kufizuar, mbart rrezikun e ndërprerjes së furnizimeve me energji, që mund të kenë një ndikim të rëndësishëm në çmimet e energjisë, prodhimin global dhe nivelin e përgjithshëm të çmimeve.”
Kryeekzekutivi i firmës amerikane të konsultimeve “Strategic Access”, David Dodwell, u shpreh që “debris” (copë, mbetje) është fjala e nxehtë për vitin 2023. “Për shkak të unilaterizimit dhe proteksionizimit, ekonomia globale po përballon më shumë prirje dëmtuese prej fragmentarizimit. FMN-ja ka dhënë një sinjal të qartë: Ne nuk mund t’i lejojmë vetes divergjenca më të thella dhe duhet medoemos dhe menjëherë të kthehemi në shinat e bashkëpunimit shumëpalësh,” u shpreh ai.
Sekretarja e përgjithshme e Organizatës Botërore të Tregtisë (OBT) Ngozi Okonjo-Iweala vëren: “Ne mendojmë se një sistem tregtar i hapur, i drejtë, i parashikueshëm, shumëpalësh që është i qëndrueshëm, është ajo për të cilën bota ka ende nevojë. Nuk mund t'i zgjidhësh problemet e sotme globale pa sistemin tregtar shumëpalësh.”
Foto nga VCG
Një lajm i mirë është që ekonomia kineze po mban ende një prirje të qëndrueshme dhe pozitive zhvillimi. Sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Kinës, ekonomia kineze u rrit me 5.2 % në tre tremujorët e parë të vitit, duke ruajtur një prirje të mirë rritjeje në mesin e ekonomive kryesore të botës. Në raportin e vet të fundit “Perspektiva Ekonomike Globale”, kompania e klasifikimit të kredive “Fitch” e ngriti parashikimin e saj për ekonominë kineze në 5.3 % për vitin 2023.
Drejtori i “Fitch”-it për Vlerësimin Sovran në Azi, Jeremy Zook, vuri në dukje: “Ky përmirësim pasqyron performancën më të fortë që kemi parë në tremujorin e tretë në raport me pritshmëritë tona. Ne shohim mbështetje me politika, veçanërisht me politika fiskale, që luajnë një rol pak më të madh më 2024, për të ndihmuar në stabilizimin e rritjes në ekonomi, pavarësisht nga këto pengesa.”
Për ekonominë globale, Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik parashikon se rritja do të ngadalësohet në 2.7% më 2024. Ndërkohë, FMN-ja është më optimiste për një rritje ekonomike me 2.9% në vitin e ardhshëm.
Përfaqësuesi i lartë i FMN-së në Kinë, Steven Barnett, u shpreh: “Kryeekonomisti i FMN-së tha se ekonomia botërore po ecën duke çaluar, jo me vrap. Çfarë duam të themi me këtë? Nëse shohim rritjen globale, parashikimet tona më të fundit shkojnë nga 3.5% për vitin e kaluar, në 3 % për këtë vit dhe 2.9 % për vitin e ardhshëm.”
Tani bota po ndryshon me një shpejtësi të madhe që nuk është parë në 100 vjetët e fundit. Ndryshimet e botës, ndryshimet e epokës dhe ndryshimet e historisë po zhvillohen si kurrë më parë. Por, pavarësisht nga ndryshimi i gjendjes botërore, kërkesat e njerëzve për barazi dhe drejtësi nuk ndryshojnë, pritjet dhe shpresat e njerëzve për paqe e qëndrueshmëri dhe për një jetë të mirë nuk ndryshojnë, e mbyll komentin CMG-ja. (Jiang Lei)