Kina vepron në praktikë për përballimin e ndryshimit të klimës
2023-12-06 17:25:25

Deri në fund të shtatorit, kapaciteti i instaluar i energjisë së erës dhe kapaciteti i përgjithshëm i instaluar i energjisë në Kinë qëndruan në vendin e parë të botës përkatësisht për 14 dhe 13 vjet me radhë, duke zënë mbi gjysmën e tregut global. Sot kapaciteti i instaluar i energjisë fotovoltaike i Kinës zë afro gjysmën e vëllimit të përgjithshëm global, mbi gjysma e makinave me energji të re në shkallë globale po qarkullojnë në Kinë dhe 1/4 e sipërfaqes së tokës së gjelbër të shtuar në mbarë botën është në Kinë.

CFP

CFP

Nëpërmjet këtyre të dhënave statistikore e kuptojmë me lehtësi përse kontributi i Kinës ka tërhequr vëmendjen e palëve të ndryshme që marrin pjesë në Konferencën e 28-të të Palëve të Konventës Kornizë të OKB-së për Ndryshimin Klimatik (COP28), që është duke u zhvilluar në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Tani çdokush në botë mund ta ketë kuptuar qartësisht nga përvoja e vet se rastet e klimës ekstreme po ndodhin më shpesh dhe që ndryshimi i klimës është bërë një krizë reale. Organizata Meteorologjike Botërore mbajti një raport në ceremoninë e hapjes të COP28-s, ku deklaroi se 2023-shi është viti më i nxehtë i regjistruar në historinë e njerëzimit. 

Në sfondin e sfidave serioze, COP28 dëshiron t'i nxitë të gjithë të kryejnë veprime më efektive për të ulur përdorimin e energjisë fosile dhe lëshimin e gazit serrë.

Si vendi më i madh në zhvillim në botë, Kina ka luajtur një rol kyç në nxitjen e arritjes dhe hyrjes në fuqi të Marrëveshjes së Parisit dhe ka bërë përpjekje për të arritur objektivat e vet afatgjatë. Kina i ka kthyer masat e përballimit të ndryshimit të klimës në një strategji kombëtare. Deri në vitin 2022, vëllimi i dioksidit të karbonit të lëshuar në Kinë u ul me 51 % në krahasim me vitin 2005 dhe konsumi i energjisë jofosile zë tashmë 17.5 % të konsumit të përgjithshëm të energjisë. Në 10 vjetët e fundit, Kina realizoi një rritje ekonomike mesatare prej 6.2 % në vit, duke mbajtur një rritje vjetore të konsumit të energjisë mesatare prej vetëm 3 %.

CFP

CFP

Në të njëjtën kohë, Kina ka nxitur aktivisht qeverisjen globale të klimës, duke ofruar mbështetje dhe ndihmë ndaj vendeve në zhvillim nëpërmjet bashkëpunimit Jug-Jug. Për shembull, në Kenia një ndërmarrje kineze ndërtoi centralin më të madh fotovoltaik në Afrikën Lindore, Centralin Fotovoltaik Garissa me kapacitet 50 MW, që u vu në përdorim në vitin 2019, duke plotësuar nevojat për energji  elektrike të 380 mijë banorëve. Deri në fund të qershorit të këtij viti, Kina nënshkroi 46 marrëveshje bashkëpunimi për sa i përket problemit të ndryshimit të klimës me 39 vende në zhvillim nëpërmjet bashkëpunimit Jug-Jug.

Në kulturën tradicionale kineze ekziston koncepti i "harmonisë ndërmjet qiellit e njerëzve" dhe përballimi i ndryshimit të klimës është një nevojë e brendshme e vazhdueshme e Kinës. Një karakteristikë e rëndësishme e modernizimit të stilit kinez është "bashkëjetesa harmonike ndërmjet njeriut e natyrës", e cila është edhe një detyrim ndërkombëtar i një vendi të madhe e të përgjegjshëm. Kryeekzekutivi i kompanisë amerikane të konsultimeve "Strategic Pathways", David Dodwell, vuri në dukje në një artikull që vendet e ndryshme duhet të mësojnë nga Kina lidhur me fushën e veprimit klimatik.

Në fakt, Kina është një vend në zhvillim, me popullsi të madhe, burime energjetike relativisht të pakta, që përballon shumë vështirësi dhe sfida në procesin e transformimit të gjelbër dhe inovacionit. Kina ka kaluar nëpër procesin e industrializimit në vetëm disa dhjetëra vjet, ndërsa vendeve të zhvilluara u janë dashur shekuj. Kina do të arrijë uljen më të madhe të intensitetit të lëshimit të karbonit në botë dhe do të realizojë brenda kohës më të shkurtër në histori objektivin e kalimit nga kulmi i lëshimit të karbonit në asnjanësimin e karbonit. Këto detyra kanë vështirësi të jashtëzakonshme dhe kanë nevojë për përpjekje të jashtëzakonshme.

Kina do të vazhdojë të bëjë sa mundet për përballimin e ndryshimit global të klimës. Por sfida e ndryshimit të klimës kërkon praktikimin e multilateralizmit dhe zbatimin e parimit të përgjegjësive të përbashkëta, por të ndryshme. Veçanërisht vendet e zhvilluara, që mbajnë përgjegjësi historike për ndryshimin e klimës, duhet të ndërmarrin veprime konkrete. Ato duhet të pakësojnë të parat lëshimin e gazit serrë dhe t'u ofrojnë fonde, teknologji e kapacitete ndërtuese vendeve në zhvillim.

Sipas njoftimeve të fundit, në katër ditët e para pas hapjes së COP28-s, janë premtuar mbi 57 miliardë dollarë investime për programin klimatik nga qeveritë, ndërmarrjet dhe investitorët e vendeve të ndryshme.

Tani qeverisjes globale të klimës i nevojiten jo vetëm premtimet me fjalë, por edhe veprimet praktike. (Xu Guang)