Bashkëpunimi Ekonomik i Azi-Paqësorit (APEC) është një organizatë rajonale që luan një rol të rëndësishëm në nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, të tregtisë e të zhvillimit midis ekonomive të saj anëtare. Rëndësia e APEC-ut është rritur qysh prej formimit të tij dhe Kina është një nga pjesëmarrësit kryesorë në këtë forum rajonal. Në vitin 1991, Kina u anëtarësua në APEC, çka shënon pjesëmarrjen e parë të saj në një organizatë të bashkëpunimit ekonomik shumëpalësh në Azi-Paqësor. Pas hyrjes në APEC, Kina është integruar aktivisht me mekanizmin e kësaj organizate dhe ka marrë pjesë në hartimin e agjendës së bashkëpunimit. Bota ka dëshmuar forcimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kinës dhe anëtarëve të tjerë të APEC-ut, pjesëmarrjen e saj aktive në liberalizimin e tregtisë dhe të investimeve, përpjekjet e saj për nxitjen e bashkëpunimit rajonal dhe rolin e saj në promovimin e novacionit shkencor e teknologjik dhe në zhvillimin e ekonomisë digjitale, të zhvillimit të vazhdueshëm dhe të rritjes përfshirëse.
foto nga CFP
Kina e konsideron APEC-un si një platformë të rëndësishme për ndërtimin e një bashkësie me fatet e përbashkëta. Si organizatore e mbledhjes së APEC-ut në vitin 2014, Kina ka luajtur një rol drejtues në ruajtjen e multilateralizmit dhe në nxitjen e rajonalizimit me hapjen e vet ndaj botës. Mbledhja e APEC-ut në Pekin miratoi "Hartën e rrugës të Pekinit të APEC-ut për nxitjen e realizimit të Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit", gjë që shënon nisjen zyrtare të ndërtimit të Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit (FTAAP). Pas arritjes së një konsensusi mbi formimin e Zonës së Tregtisë së Lirë të Azi-Paqësorit, Kina propozoi dhe konceptin e "ndërtimit të një bashkësie të Azi-Paqësorit me fate të përbashkëta". Më 17 nëntor 2022, presidenti i Kinës Xi Jinping u ftua të mbante një fjalim, me titull "Këmbëngulja dhe nxitja e përbashkët e zhvillimit për ngritjen e bashkëpunimit Azi-Paqësor në një nivel më të lartë", në Samitin në APEC-ut në Bangkok. Ai theksoi se Kina do të promovojë me vendosmëri ndërtimin e një bashkësie të Azi-Paqësorit dhe do të japë më shumë kontribut për qëndrueshmërinë dhe lulëzimin e këtij rajoni.
foto nga CFP
Kina është partnerja më e madhe tregtare e shumë ekonomive anëtare të APEC-ut dhe ka bërë përpjekje të paepura në nxitjen e integrimit ekonomik rajonal. Në vitin 2022, vëllimi i tregtisë midis Kinës dhe anëtarëve të APEC-ut arriti në 25.96 trilionë juanë (3.56 trilionë dollarë amerikanë), duke zënë 61.7 për qind të vëllimit të përgjithshëm të tregtisë së jashtme të Kinës. Për 16 anëtarët e APEC-ut, përfshirë Japoninë, Korenë e Jugut, Singaporin, Australinë dhe Zelandën e Re, Kina është partnerja më e madhe tregtare. Brenda APEC-ut, partneri tregtar nr. 1 i Kinës është Bashkimi i Vendeve të Azisë Juglindore (ASEAN), që përfshin shtatë vende anëtarë të APEC-ut. ShBA-ja, partnerja tregtare e tretë më e madhe e Kinës, është gjithashtu anëtare e APEC-ut. Këto statistika tregojnë rolin thelbësor të APEC-ut në bashkëpunimin ndërkombëtar e rajonal të Kinës dhe në përpjekjet e saj për zhvillimin ekonomik.
Kina ka marrë pjesë aktivisht në bisedimet për pakësimin e pengesave tregtare dhe për lehtësimin e investimeve ndërkufitare. Gjatë mbi 30 vjetëve qysh prej pjesëmarrjes së vet në APEC, tarifat doganore mesatare të Kinës janë ulur nga 39.5 për qind në 7.4 për qind sot. Deri në fund të gushtit 2023, Kina ka nënshkruar 21 marrëveshje të tregtisë së lirë me 28 vende e rajone. Sivjet, Kina organizoi me sukses veprimtari të tilla, si Ekspozitën Ndërkombëtare të Importit të Kinës, Panairin e Guangzhout dhe Panairin Ndërkombëtar për Tregtinë në Shërbime të Kinës. Ndërmjet uljes së kostos së tregtisë, Kina është integruar vazhdimisht me zinxhirët globalë të furnizimit me një qëndrim më të hapur dhe ka kontribuuar me përpjekjet e saj për rritjen dhe qëndrueshmërinë ekonomike të botës. Në të njëjtën kohë, Kina ka inkurajuar investimet e huaja ndërmjet zgjerimit të kategorive industriale dhe uljes së vazhdueshme të pragut për hyrjen e kapitaleve të huaja në tregun kinez. Në gusht 2023, Kina publikoi 24 masat e posaçme për përmirësimin e mëtejshëm të mjedisit për investimet e huaja dhe për tërheqjen e këtyre investimeve, përfshirë sigurimin e trajtimit kombëtar, forcimin e mbrojtjes së investimeve të huaja, nxitjen e lehtësimit të investimeve e të funksionimit etj.
Kina do të vazhdojë të jetë përkrahëse, nxitëse dhe zbatuese e bashkëpunimit të hapur të Azi-Paqësorit, Sipas "Vizionit të Putrajaya-s të APEC-ut 2040 ", anëtarët e kësaj organizate synojnë të krijojnë një bashkësi të Azi-Paqësorit të hapur e paqësore, me gjallëri e qendresë deri më 2040, duke realizuar lulëzimin e përbashkët të popujve të këtij rajoni e të brezave të ardhshëm. (Wang Lei/ Artan)