Forumi "Xiangshan" promovon sigurinë në kohë të rrezikshme
2023-11-02 15:31:59

Forumi i 10-të "Xiangshan" i Pekinit, që përfundoi së fundmi, ritheksoi rëndësinë e sigurisë globale në këto kohë të rrezikshme. Sigurisht, vëmendja e botës tani është e përqendruar në konfliktin izraelito-palestinez, por edhe atë midis Rusisë dhe Ukrainës.

Foto:VCG

Forumi i 10-të Xiangshan(Foto:VCG)

Tema e këtij viti, "Siguria e përbashkët dhe paqja e qëndrueshme", përputhet me Nismën e Sigurisë Globale të Kinës. Ministria e Jashtme e Kinës publikoi një dokument mbi këtë nismë në fillim të këtij viti. Në dokument vihet në dukje se "komuniteti ndërkombëtar është përballur me rreziqe dhe sfida të shumta që janë hasur rrallë më parë... Mangësitë në paqe, zhvillim, siguri e qeverisje po rriten dhe bota është përsëri në një udhëkryq historik."

Në një nga fjalimet kryesore në forum, gjenerali Zhang Youxia, nënkryetari i Komisionit Qendror Ushtarak, shtjelloi këtë ide. Ai i kujtoi audiencës nga më shumë se 90 vende, rajone dhe organizata se bashkëpunimi me përfitim të ndërsjellë ka rëndësi jetike për kapërcimin e këtyre sfidave. Ai gjithashtu vuri në dukje se disa vende refuzojnë të tejkalojnë ideologjitë e vjetra që e vënë një pjesë të botës kundër një tjetre.

"Ne duhet të jemi shumë vigjilentë ndaj akteve të intensifikimit të konflikteve, nxitjes së konfrontimit dhe bërjes së gjykimeve të gabuara strategjike," vuri në dukje Zhang.

Në forum foli edhe ministri rus i Mbrojtjes Sergei Shoigu. Lidhur me konfliktin e vendit të tij me Ukrainën, Sergei Shoigu tha: "Linja perëndimore e përshkallëzimit të vazhdueshëm të konfliktit me Rusinë mbart kërcënimin e një përplasjeje të drejtpërdrejtë ushtarake midis fuqive bërthamore, e cila mund të sjellë pasoja katastrofike".

Shtetet e Bashkuara dërguan si përfaqësuese Xanthi Carras, drejtoresha për Kinën pranë Zyrës së Nënsekretarit të Departamentit të Mbrojtjes.

Foto:VCG

Forumi i 10-të Xiangshan(Foto:VCG)

Forumi u zhvillua menjëherë pas takimit midis sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken dhe Wang Yi, ministri i Jashtëm i Kinës, në Uashington. 

Wang theksoi se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të kenë dialog. “Jo vetëm që duhet të rifillojmë dialogun, por dialogu duhet të jetë i thellë dhe gjithëpërfshirës." Përgjigjja e Blinkenit? "Unë jam dakord me atë që tha ministri i Jashtëm." Të dy kryediplomatët ishin takuar edhe  në fillim të këtij viti, kur sekretari Blinken ishte në Pekin. Bisedimet e tyre mund të hapin dyert për një takim të mundshëm midis dy krerëve të shtetit në mbledhjen e Bashkëpunimit Ekonomik të Azi-Paqësorit (APEK), që do të zhvillohet në Kaliforni pas afërsisht dy javësh.

Kontributet e fundit të Kinës për nxitjen e paqes globale duhet të njihen. Pekini i solli rivalët e vjetër në Lindjen e Mesme, Iranin dhe Arabinë Saudite, në tryezën e bisedimeve në fillim të këtij viti. Të dy vendet i janë afruar më shumë hapjes së ambasadave të njëri-tjetrit në sfondin e bisedimeve të vazhdueshme rreth shqetësimeve rajonale. Duke njohur thellësinë e armiqësisë që kishte ekzistuar midis dy vendeve, përpjekjet e ndërmarra nga Kina pa dyshim kanë rëndësi.

Vitin e kaluar, Kina mori pjesë në samitin me shtetet arabe, një tjetër shenjë që Pekini kërkon të jetë një nxitës i ndryshimeve pozitive. Në samit u diskutuan temat e mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera dhe nxitjes së marrëveshjeve ekonomike.

Foto: Ministria e Punëve të Jashtme e Kinës

Media arabe "Al Jazeera" vuri në dukje në fillim të këtij viti se këto dhe përpjekje të tjera në Lindjen e Mesme vërtetojnë një ndryshim në qëndrimet për Kinën dhe Shtetet e Bashkuara: "T'i thuash ‘jo’ Amerikës është një qëndrim shumë i popullarizuar, sepse shumica beson se është një fuqi hipokrite perandorake që vetëm flet për të drejtat e njeriut dhe demokracinë”.

Këto shqetësime për të qenë një "fuqi perandorake" mund të shtohen më shumë me konfliktin Izrael-Hamas. Këshilli për Marrëdhëniet me Jashtë, një institut amerikan studimi politikash, theksoi vetëm disa ditë më parë se ShBA-ja po përballet me një "krizë të vërtetë të marrëdhënieve me publikun", sepse duket e palëkundur në mbështetjen e saj për Izraelin, pavarësisht se kërkon mbështetje rajonale për uljen e tensioneve. Nga ana tjetër, Kina po shikohet gjithnjë e më seriozisht si një prani stabilizuese në një botë shpesh konfliktuale.

 

Autori Anthony Moretti është një komentator special për CGTN-in. Ai është profesor i asociuar në Departamentin e Komunikimit dhe Udhëheqjes Organizative në Universitetin Robert Morris.

(Zhang Yan/Artan)