Kina do të nxitë hapjen e nivelit të lartë të sektorit financiar
2023-11-01 16:35:02

Konferenca qendrore e punës financiare u mbajt në Pekin nga e hëna deri të martën, me angazhimin për nxitjen e hapjes së mëtejshme të sektorit financiar.

Foto:VCG

Foto:VCG

Duke vënë në dukje se financat janë gjaku i ekonomisë kombëtare dhe një pjesë e rëndësishme e forcës konkurruese bazë të vendit, në konferencë u nxitën përpjekje më të mëdha për rritjen në mënyrë gjithëpërfshirëse të mbikëqyrjes financiare, përmirësimin e shërbimeve financiare, parandalimin dhe zgjidhjen e rreziqeve për të promovuar zhvillimin me cilësi të lartë të sektorit financiar të Kinës.

Në dhjetë vitet e fundit, sistemi financiar ka mbështetur fuqishëm zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe social. Sipas të dhënave statistikore të Bankës Popullore të Kinës, banka qendrore kineze, nga viti 2014 deri në shtator 2023, vëllimi i kredive të papaguara në monedhën kineze RMB të dhëna për të mbështetur ekonominë reale u rrit në mbi 230 trilion juanë (rreth 32.04 trilionë dollarë) nga 81.43 trilion juanë, me një rritje mesatare vjetore prej 10 për qind, përgjithësisht në përputhje me rritjen nominale të PBB-së.

Megjithatë, në konferencë u vu në dukje se, me problemet e ndryshme të ndërthurura në sektorin financiar, ende ka rreziqe ekonomiko-financiare, si korrupsioni, efikasiteti i ulët i sektorit financiar në shërbim të ekonomisë reale etj.

Duke theksuar rëndësinë që ka ofrimi më mirë prej sektorit financiar i shërbimeve me cilësi të lartë për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të vendit, në konferencë u bë thirrje për më shumë përpjekje për krijimin e një mjedisi të mirë monetar dhe financiar, ruajtjen e qëndrueshmërisë së politikës monetare dhe zhvillimin e institucioneve financiare e të sistemeve moderne të tregut.

U kërkua edhe përmirësimi i strukturës së furnizimit me kapitale për të përdorur më shumë burime financiare për të mbështetur risitë teknologjike, prodhimin e përparuar, zhvillimin e gjelbër dhe ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe mikrondërmarrjet.

Foto:VCG

Shangai(Foto:VCG)

Siç mësohet, më shumë përpjekje do të bëhen për përforcimin e rregullave të tregut, krijimin e një tregu financiar me rregulla të unifikuara dhe mbikëqyrjen e koordinuar për të nxitur formimin e kapitalit afatgjatë.

Ndërkohë, Kina do të nxitë më tej hapjen financiare të nivelit të lartë, për të garantuar sigurinë kombëtare financiare dhe ekonomike, do të zgjerojë në mënyrë të qëndrueshme hapjen institucionale përkatëse, si edhe do të lehtësojë investimet dhe financimet ndërkufitare, për të tërhequr më shumë institucione financiare të huaja dhe kapital afatgjatë për të zhvilluar biznes në Kinë.

Të dhënat tregojnë se deri në fund të shtatorit, 202 banka nga 52 vende dhe rajone kishin krijuar institucione në Kinë. Gjithashtu, 1110 institucione të huaja kishin hyrë në tregun e obligacioneve të Kinës, duke zotëruar 3.3 trilion juanë letra me vlerë deri në fund të shtatorit.

Në konferencë u theksua edhe rëndësia e rritjes së mbikëqyrjes financiare për parandalimin dhe zgjidhjen e rreziqeve financiare.

Do të ngrihet efektiviteti i mbikëqyrjes financiare, do të trajtohen në kohë rreziqet e institucioneve financiare të vogla dhe të mesme dhe do të krijohet mekanizmi afatgjatë për të parandaluar dhe zgjidhur rreziqet e borxhit vendor.

Duke përmbushur kërkesat e arsyeshme të financimit për të gjitha llojet e ndërmarrjeve të pasurive të paluajtshme, është i nevojshëm edhe përmirësimi i mbikëqyrjes ndaj ndërmarrjeve dhe kapitaleve të tyre, duke përmirësuar menaxhimin e matur makro.

Ndërkohë, do të forcohet menaxhimi i tregut të këmbimit valutor për të ruajtur qëndrueshmërinë e kursit të këmbimit të renminbi-së (RMB) në një nivel të arsyeshëm dhe të balancuar, duke ndëshkuar me vendosmëri krimet dhe korrupsion në këtë drejtim.

Foto:VCG

Porti Haikou(Foto:VCG)

Në konferencë u theksua gjithashtu që duhet të bëhen më shumë përpjekje për të forcuar shërbimet financiare me cilësi të lartë, për të zgjeruar hapjen financiare të nivelit të lartë, për t'i shërbyer më mirë ndërtimit të nismës “Një brez, një rrugë”, si dhe për të çuar përpara në mënyrë të qëndrueshme dhe me maturi ndërkombëtarizimin e RMB-së.(Zhang Yan/Artan)