Rregulloret e reja të Kinës për hapësirën kibernetike përshkruajnë përpjekjet për të mbrojtur të miturit
2023-10-30 17:44:48

Zyra e Informacionit të Këshillit të Shtetit mban një konferencë të rregullt për politikat, duke prezantuar rregulloret e reja për mbrojtjen e të miturve në hapësirën kibernetike/CFP

Zyra e Informacionit të Këshillit të Shtetit mban një konferencë të rregullt për politikat, duke prezantuar rregulloret e reja për mbrojtjen e të miturve në hapësirën kibernetike, më 27 tetor, 2023/CFP

Rregulloret e publikuara rishtazi në Kinë për mbrojtjen e të miturve në hapësirën kibernetike fokusohen në çështje të rëndësishme, specifikojnë përmbajtje të shëndetshme në internet, rrisin mbrojtjen gjyqësore për interesat e të miturve dhe mbledhin përpjekjet shoqërore për të arritur qëllimet, thanë autoritetet në një konferencë shtypi, njofton “CGTN”.

Në fillim të këtij muaji, Këshilli i Shtetit publikoi rregulloret e reja për mbrojtjen e të miturve në hapësirën kibernetike, të cilat do të hyjnë në fuqi më 1 janar 2024. Dokumenti specifikon përpjekjet për të rregulluar përmbajtjen në internet, mbrojtjen e informacionit personal dhe parandalimin e varësisë nga interneti te të miturit.

Në fund të qershorit, baza e përdoruesve të internetit në Kinë ishte 1.08 miliardë njerëz, me të miturit që përbëjnë mbi 191 milionë nga ky numër.

“Ndërsa të miturit përfitojnë nga komoditeti i ofruar nga interneti, ata gjithashtu përballen me rreziqe të tilla si ekspozimi ndaj përmbajtjeve të paligjshme dhe të dëmshme, varësia nga interneti dhe ngacmimi kibernetik”,- deklaroi Wang Song, zëvendësdrejtor i Administratës së Hapësirës Kibernetike të Kinës.

Sipas tij, për të adresuar këto çështje, dokumenti përfshin një kapitull të tërë kushtuar rregullimit të përmbajtjes në internet, duke specifikuar llojet e informacionit në internet që janë të favorshme për zhvillimin e shëndoshë të të miturve.

Xian Jie, zyrtar i Prokurorisë së Lartë Popullore, tha se në bazë të rregulloreve, autoritetet prokurore do të rrisin mbrojtjen prokurore dhe gjyqësore dhe do të nxisin një mjedis të pastër dhe të sigurt të hapësirës kibernetike për të miturit.

Për të mbledhur përpjekjet në mbarë shoqërinë, rregulloret specifikojnë gjithashtu përgjegjësitë e departamenteve përkatëse qeveritare, shkollave, familjeve, organizatave të industrisë dhe mediave të lajmeve.

“Në përputhje me rregulloret, Ministria e Arsimit do të përmirësojë edukimin mbi arsimimin digjital për të miturit dhe do të inkorporojë arsimin në këtë drejtim me kurse të tilla si informacioni dhe teknologjia”,- deklaroi zyrtari i kësaj ministrie, You Sen. (Fatosi)