“Një brez, një rrugë”, një nismë bashkëpunimi, mirëkuptimi dhe paqeje
2023-10-27 10:12:41

Ndër 20 pjesëmarrësit e Forumit “Kina dhe Ballkani Perëndimor: Perspektiva dhe pritshmëritë në epokën e re” mbajtur në Shkup, nga  komuniteti akademik, sektori joqeveritar dhe  media nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, mbajtën kumtesat e tyre dhe drejtorja e Institutit Shqiptar për Studimet e Globalizimit, Dr.  Marsela Musabelliu, prof. Enver Bytyçi, Dr. Enriko Ceko dhe kryeredaktorja e portalit online Argumentum.al Marjana Doda.  Në fokus të punimeve të forumit ishin mundësitë e shumta për bashkëpunim të ndërsjellë në kuadër të nismës “Një brez një rrugë”, por edhe në marrëdhëniet dypalëshe, veçanërisht duke iu bashkuar nismave kineze për të ardhmen e përbashkët të njerëzimit.

Prof. Enver Bytyçi në intervistë

Prof. Enver Bytyçi në intervistë

Prof. Enver Bytyçi një ndër lektorët e Forumit të Shkupit në intervistë për Grupin Mediatik të Kinës (CMG) vlerëson këtë forum dhe ndalet në ecurinë e nismës kineze “Një brez, një rrugë” në dekadën e dytë të saj.

CMG: Profesor Bytyçi si një ndër lektorët e Forumit të Shkupit për marrëdhëniet midis Ballkanit Perëndimor dhe Kinës, çfarë teme trajtuat dhe si e vlerësoni mbajtjen e këtij takimi për herë të parë në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut?

Prof. Enver Bytyçi: Ishte një kënaqësi e veçantë të merrje pjesë në një forum të tillë në Shkup, organizuar ngaInstituti Shqiptar për Studimet e Globalizimit, drejtuar nga Marsela Musabelliu dhe nga Qendra për ndryshime globale me qendër në Shkup, si dy qendra studimore që ndërmorën këtë iniciativë. Pjesëmarrja ishte me të vërtetë mbresëlënëse, ku niveli i lektorëve dhe referuesve ishte i jashtëzakonshëm ku kishte përfaqësues jo vetëm nga Tirana, por dhe nga vende të tjera të rajonit, sidomos nga Maqedonia e Veriut.

Më bëri përshtypje se organizimi i këtij forumi ishte në nivelet e perfeksionit, sa i përket rendit të punës, grupimit të kumtesave, sipas specifikave të tyre, diskutimeve, mendimeve dhe ideve që u shtruan, por dhe gamës së gjerë të problemeve që referuesit paraqitën në forum.

Mesazhi i ambasadorit të Republikës Popullore të Kinës në Maqedoninë e Veriut ishte i qartë dhe paqësor ku vihej në dukje se Kina i përmbahet rendit botëror, rregullave të përcaktuara në Kartën e OKB-së, si dhe i përmbahet respektimit të sovranitetit dhe të drejtës së kombeve dhe shteteve si dhe një qasje paqësore në zhvillimet kudo në botë.

Fakti që Kina shprehet në këtë mënyrë për një qasje të stabilitetit dhe sigurisë dhe paqes në rendin botëror është shumë i rëndësishëm për të gjithë botën dhe njerëzimin në përgjithësi sepse nëse Kina do të ndiqte një rrugë konfrontimi atëhere bota do të shkonte drejt një katastrofe.

CMG: Ndalemi tek fjala që ju mbajtët në Forumin e Shkupit.

Prof. Enver Bytyçi: Unë pata zgjedhur një temë të cilën organizatorët e Forumit e pëlqyen dhe kishte të bënte me ndikimin e marrëdhënieve të Bashkimit Europian me Kinën si një avantazh ose dizavantazh i marrëdhënieve të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor me Kinën. Unë vura në dukje faktin se marrëdhëniet e vendeve të rajonit tonë me Kinën kushtëzohen me marrëdhëniet me BE-në sepse të 6 këto vende janë tashmë në rrugën e integrimit europian dhe për pasojë janë të detyruara të zbatojnë kriteret dhe kushtet e zhvillimeve në politikën e jashtme, siç i përcakton Karta e ndërtimit dhe funksionimit të BE-së.

Forumi  Kina dhe Ballkani Perëndimor mbajtur në Maqedoninë e Veriut(Foto Argumentum)

Forumi  Kina dhe Ballkani Perëndimor mbajtur në Maqedoninë e Veriut(Foto Argumentum)

Nuk ishte ky shqetësimi im sepse besoj që BE ka marrëdhënie më të avancuara me Kinën se sa të 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, përjashtuar Serbinë. Vendet e tjera të rajonit kanë deficite në marrëdhëniet ekonomike, të investimeve dhe tregtisë me Kinën. Për pasojë kanë deficite krahasuar me vendet e BE-së, sidomos me Gjermaninë, Italinë por dhe me vende të tjera që kanë shënuar përparim në këto marrëdhënie.

Në këtë kuptim objekti i kumtesës sime ishte që të demonstroja domosdoshmërinë që kanë vendet tona të intensifikojnë marrëdhëniet me Kinën, së paku në nivelin e marrëdhënieve që Bashkimi Europian ka me Kinën. Besoj se ia arrita qëllimit dhe parashtrova në kumtesën time disa momente që do të duhet të mbahen parasysh. Theksova që Kina dhe BE duhet të negociojnë në mënyrë paqësore për një zhvillim të marrëdhënieve në mënyrë miqësore dhe me besueshmëri reciproke, që të mos shkohet drejt konfrontimit, sepse konflikti midis dy fuqive të mëdha do të sillte një stanjacion dhe dëmtim të marrëdhënieve ndërmjet Kinës dhe Ballkanit Perëndimor.

Unë shpreha në kumtesë faktin që shumë liderë politikë në vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përjashtuar Serbinë, vuajnë nga komplekse të ndryshme sa i përket marrëdhënieve me Kinën.

CMG: Në fjalën e mbajtur në Forum nga ambasadori i Kinës në Maqedoninë e Veriut, u theksua se “jemi dy qytetërime” dhe Ballkani Perëndimor është pjesë e një qytetërimi të lashtë, që ka ekzistuar në kohën e Rrugës së Lashtë të Mëndafshit.

foto nga VCG

foto nga VCG

Prof. Enver Bytyçi: Pa e ditur se çfarë do të thoshte ambasadori kinez në Shkup, e theksova në kumtesën time se ka ekzistuar një traditë e lashtë në marrëdhëniet midis Kinës dhe Europës. Kjo është një traditë që është nxitur dhe nga modeli kinez i qeverisjes, nga modeli kinez i kulturës, i shpikjeve dhe disa elementeve për të cilat Europa ka patur nevojë t’i marrë nga Kina e asaj kohe. Rruga e Mëndafshit është pjesë e asaj trashëgimie të Kinës dhe Europës së lashtë. Për pasojë sot po shkohet drejt rigjallërimit të atyre marrëdhënieve.

Të mos harrojmë se janë mbi 400 miliardë euro investime kineze në vendet e BE-së. Në 6 mujorin e parë të këtij viti vetëm investimet gjermane në Kinë janë rritur me 10.2 miliard dollarë dhe kjo është gati afër rekordit të 6 mujorit të parë të vitit 2022 kur ishte me 12 miliardë dollarë. Një investim i tillë i kapitalit në Kinë është detyrimisht një bazament i pandryshueshëm dhe i pakundërshtueshëm për një marrëdhënie të qëndrueshme midis të dyja palëve, përndryshe rrezikohen të gjitha investimet. Prandaj është e domosdoshme marrëdhënia reciproke mbi bazën e mirëkuptimit, të leverdisë dhe interesit të përbashkët pa paragjykuar sistemin politik. Për këtë të fundit është një dokument i BE-së në të cilin thuhet se “jemi në konkurrencë ekonomike dhe rival në çeshtjen e sistemit politik”.

CMG:Ndalemi tek një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për Kinën, por për të gjitha vendet anëtare në botë nismës kineze “Një brez, një rrugë”, e cila në 10 vjetorin e saj u kurorëzua për të vijuar me dekadën e dytë në Forumin e Tretë të Nismës “Një brez një rrugë”, mbajtur në Pekin më 17-18 tetor. Opinioni juaj për ecurinë e kësaj nisme në dekadën e dytë

Prof. Enver Bytyçi: Pjesë e nismës “Një brez, një rrugë” janë dhe vendet që sot janë në konflikt siç është ajo që po ndodh midis Izraelit dhe Palestinës, apo konflikti Rusi-Ukrainë, ngjarje të cilat na bëjnë me dije se bota ka nevojë për bashkëpunim. “Një brez, një rrugë” është një nismë bashkëpunimi, mirëkuptimi, paqeje si dhe për lehtësimin dhe rritjen e nivelit të jetesës të mbi 30 popujve dhe kombeve që ajo përfshin.

Forumi i mbajtur në Pekin për nismën “Një brez, një rrugë” mblodhi 33 kryetarë shtetes dhe kryeministra e përfaqësues të lartë të vendeve anëtare, që dëshmon një interes të jashtëzakonshëm. Ka 10 vjet që kjo nismë është ekspozuar nga presidenti Xi dhe mendoj se janë përpjekje të rëndësishme sidomos në vendet e Kaukazit për të shtrirë trasenë e Rrugës së lashtë të Mëndafshit.

Ndërtimi i një rruge të tillë është me interes për të gjitha vendet në transport, komunikim, tregti, lëvizje, zhvillimin ekonomik si dhe për mirëqenien dhe rritjen e besimit te vendet tek të cilat kalon ajo.

Kina po investon shumë në këtë drejtim, duke premtuar financime miliardëshe dhe i ka mundësitë dhe potencialet ta bëjë këtë, ndërkohë që vendet nëpër të cilat kalon Rruga e Mëndafshit nuk kanë mundësi financiare të kryejnë investime infrastrukturore kaq të rëndësishme.

foto nga VCG

foto nga VCG

Kombinimi i investimeve kineze me zhvillimin e këtyre rajoneve do të jetë një sukses jo vetëm për Kinën por dhe për vetë ato. Kina ka interesin e saj sepse është një treg shumë i madh dhe po shndërrohet në një shoqëri konsumi dhe ky është hapi më i madh cilësor në historinë e marrëdhënieve midis Lindjes dhe Perëndimit. Kjo do të thotë shumëfishim i konsumit të mallrave dhe produkteve dhe për pasojë domosdoshmëri e zhvillimit modern të infrastrukturës ku bën pjesë kryesisht Rruga e Mëndafshit.

Iniciativa “Një brez, një rrugë” është e mrekullueshme për shkak se nuk synon cënimin e rendit botëror, të sovranitetit të shteteve, apo varësinë e tyre sepse nëse një rrugë do të lidhte Europën me Kinën barazpesha do të ishte e njejtë dhe nuk mund të mendohet se njera palë mund të sundojë mbi palën tjetër. Fuqia ekonomike, financiare dhe njerëzore është thuajse e balancuar midis të dy poleve të Kinës dhe BE-së dhe kështu do të jetë për një kohë shumë të gjatë. Për pasojë mendoj se ku ka ekuilibër dhe balanca si dhe harmoni në marrëdhëniet dhe kjo çon në zhvillimin dhe prosperitetin e dyanshëm.

Intervistoi Eda Merepeza