Parqet kombëtare të Kinës, kontribut për mbrojtjen ekologjike globale
2023-10-16 16:23:31

foto nga CFP

Panda e egër gjigante e regjistruar nga kamera me rreze infra të kuqe në Parkun Kombëtar të Pandave Gjigante në Jugperëndim të Kinës/ foto nga CFP

12 tetori i këtij viti shënon 2-vjetorin e krijimit të kontigjentit të parë të parqeve kombëtare të Kinës. Qarqet ndërkombëtare janë të mendimit se plani madhor i Kinës për krijimin e sistemit të parqeve kombëtare më të mëdha në botë dhe përpjekjet e saj të paepura kanë kontribuuar për çështjen e mbrojtjes ekologjike globale.

Kohët e fundit, në korridorin e malit Niba pranë Parkut Kombëtar të Pandave Gjigante, kamerat me rreze infra të kuqe regjistruan disa herë gjurmë të pandave të egra gjigante.

Ky park u bë pjesë e kontingjentit të parë të parqeve kombëtare të Kinës, të përcaktuara në tetor 2021, ndërsa korridori i malit Niba është zona kryesore në këtë park dhe një kanal i rëndësishëm që lidh tufat e pandave të egra gjigante në vargmalet Daxiangling dhe Qionglai.

Pandat e egra gjigante të regjistruara nga kamera me rreze infra të kuqe në Parkun Kombëtar të Pandave Gjigante në Jugperëndim të Kinës/ foto nga CFP

Për mbrojtjen dhe përtëritjen e tufave të pandave të egra gjigante, Parku Kombëtar i Pandave Gjigante ka bërë përpjekje për hapjen e korridorëve ekologjikë, që tufat e ndryshme të komunikojnë, të kenë shkëmbime dhe të shpërngulen te njëra-tjera. Këta korridorë quhen në mënyrë simbolike “korridorët e dashurisë”, sepse nëpërmjet tyre, pandat të të dy vargmaleve mund të çiftohen dhe të shumëzohen, duke siguruar ekzistencën e gjatë të tufave.

Sot, në Parkun Kombëtar të Pandave Gjigante është krijuar edhe Qendra Kërkimore për Mbrojtjen e Pandave Gjigante, e cila ka mbrojtur mbi 70 për qind të pandave të egra gjigante në Kinë. Krahas pandës, në këtë park kombëtar janë mbrojtur dhe shumë kafshë e bimë të egra të rralla, si puma e borës, majmuni i artë, ibisi kreshtor, pema kineze e pëllumbit etj.

foto nga

Majmunët e egër të artë të regjistruara nga kamera me rreze infra të kuqe në Parkun Kombëtar të Pandave Gjigante në Jugperëndim të Kinës/ foto nga CFP

Përveç Parkut Kombëtar të Pandave Gjigante, edhe disa parqe të tjera kombëtare, pjesë e kontingjentit të parë, kanë pasur rezultate pozitive.

Në Parkun Kombëtar të Burimit të Tre Lumenjve në Veriperëndim të Kinës u realizua mbrojtja tërësore e lumit Jance, Lumit të Verdhë dhe lumit Lancang. Shkalla e sipërfaqes me pyje dhe stepa në këtë park e kalon 74 për qind dhe numri i përgjithshëm i antilopave tibetiane u kthye në 70 mijë. Në Parkun Kombëtar të Tigrave e Leopardëve të Kinës Verilindore, mund të vëzhgohen mbi 50 tigra të egër dhe 60 leopardë të egër. Ndërkohë, në Parkun Kombëtar të Malit Wuyi, u zbuluan 17 lloje të reja.

foto nga CFP

Parku Kombëtar i Tigrave e Leopardëve të Kinës Verilindore/ foto nga CFP

Shumë personalitete ndërkombëtare janë të mendimit se Kina ka pasur përvojë të suksesshme në krijimin e parqeve kombëtare, e cila do të jetë e vlefshme për mbrojtjen ekologjike në mbarë globin.

Kirsten Grorud-Colvert, biologe detare nga Universiteti i Oregonit i ShBA-së, tha: “Është një nder për mua që njoha përpjekjet e Kinës për ndërtimin e parqeve kombëtare dhe mbrojtjen e biodiversitetit. Në Kinë shumëllojshmëria biologjike dhe burimet e pasura biologjike janë të habitshme dhe Kina ka mundësi t’i mbrojë si duhet.”

Sipas planit të qeverisë kineze, në Kinë do të krijohen edhe 49 parqe kombëtare tokësore e detare, me sipërfaqe të përgjithshme prej 1.1 milion metrash katrorë. Pas përurimit të tyre, Kina do të ketë parqet kombëtare me sipërfaqen e përgjithshme të mbrojtjes natyrore më të madhe në botë.

Në një artikull të publikuar ditët e fundit në uebsajtin amerikan të mbrojtjes mjedisore “Earth.com”, duke iu referuar fjalëve të profesorit të Universitetit Duke, Stuart Pimm, thuhet: “Të huajt e vizitojnë Kinën jo vetëm për Murin e Madh, Pallatin e Dimrit dhe Ushtrinë prej Terrakote, por edhe për parqet kombëtare mbresëlënëse.” (Wang Lei/ Artan)