Varianti afrikanojugor i “Alipay” nxit zhvillimin e financës digjitale në Afrikë
2023-10-12 13:20:01

Sivjet është jubileu i dhjetëvjetorit të paraqitjes së nismës “Një brez, një rrugë”. Gjatë ndërtimit të “Një brez, një rrugë” së bashku me vendet e tjera në zhvillim, një sërë ndërmarrjesh kineze kanë marrë pjesë në disa projekte që ofrojnë shërbime më të mira shoqërore, duke fituar popullaritet të gjerë ndër banorët vendorë.

Foto nga siti i Vodapay-it

Vitet e fundit, si një ndër vendet afrikane ku interneti dhe telefonat e zgjuar janë përhapur më shpejt, Afrika e Jugut ka pasur një zhvillim të vrullshëm në teknologjinë financiare. Dhe një aplikacion i krijuar nga kompanitë kineze jo vetëm ka lehtësuar jetën e përditshme të banorëve, por edhe ka zvogëluar “hendekun digjital” në Afrikë.

“Më pëlqen shumë 'Vodapay', sepse me të nuk ka nevojë të rri në radhë të gjata për të kryer shumë gjëra të përditshme. Nëpërmjet tij mund të blej, të paguaj dhe t'u dërgoj para miqve dhe të afërmve. Gjithçka bëhet me celular, pa pasur nevojë të dalë jashtë shtëpisë. Është një aplikacion vërtet shumë tërheqës dhe e përdor çdo ditë”, tha Qhayiya Mbalekwa, një banor afrikanojugor.

Në tetorin e vitit 2021, gjiganti i telekomunikacionit i Afrikës së Jugut "Vodacom" publikoi portofolin elektronik “Vodapay”. Përveç kryerjes së pagesave, dërgimit të parave e rimbushjes së kartës, përdoruesit, nëpërmjet më shumë se 100 programeve të ofruara nga kjo platformë, mund të aplikojnë për minikredi, të bëjnë blerje, të rezervojnë në restorante e hotele, të blejnë bileta aeroplani etj. Për shkak se celularët e shumë afrikanojugorëve nuk kanë hapësira të mjaftueshme për të instaluar aplikacione të ndryshme, ky “superaplikacion” që kombinon funksione të ndryshme, është mirëpritur shumë. Vjet numri i përdoruesve të regjistruar u rrit 170 %, duke i kaluar 2.7 milionët, dhe aplikacioni u shkarkua më shumë se 4.5 milionë herë.

Foto:VCG

Foto:VCG

“Vodapay” është prodhuar sipas modelit të aplikacionit kinez “Alipay”. Në fakt, pikërisht përmasat dhe aftësia e kompanisë kineze në fushën teknologjike e bënë "Vodacom"-in të merrte vendimin që të kryente një studim të përbashkët me partnerët kinezë.

“Bëmë kërkime nëpër botë dhe kontaktuam shumë partnerë ndërkombëtarë bashkëpunimi për të gjetur platformën më të mirë. 'Alipay' u vlerësua si platforma më e fuqishme dhe partnerja më e mirë teknologjike. Së pari, ata kanë një vëllim të konsiderueshëm biznesi, duke ofruar shërbime në shumë vende në zhvillim. E dyta, disa funksione që ofrojnë, nuk mund të gjenden në platforma të tjera. Kjo është arsyeja përse zgjodhëm ‘Alipay’-in si partner strategjik të 'Vodacom'-it”, tha Ricardo Platt, drejtor administrativ i seksionit të shërbimeve financiare të kësaj kompanie.

Përdorimi i gjerë i “Vodapay-it” ka nxitur zhvillimin e financave digjitale të vendeve afrikane si Afrika e Jugut, duke zvogëluar hendekun që pengon lulëzimin e tregut digjital afrikan.

Lidhur me këtë, drejtori i Shkollës së Biznesit të Universitetit të Johanesburgut Randall Carolissen vuri në dukje se Kina është investuesja më e madhe e Afrikës në fushën teknologjike, si edhe në studim e zhvillim. Ai është i mendimit se teknologjia kineze do të favorizojë shtimin e mirëqenies ekonomike e të drejtësisë shoqërore, sepse të varfrit mund të integrohen në ekonominë e re, duke pasur edhe mundësi arsimimi. Sipas tij, pikërisht për të gjitha këto ka nevojë Afrika.

Foto:VCG

Foto:VCG

Sipas të dhënave statistikore të Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit, çdo 10% rritje e përhapjes së internetit të bandës së gjerë në Afrikë, do të sjellë 2.5 % rritje të PBB-së për frymë. Ndërsa një raport i publikuar së bashku nga "Google" dhe Korporata Ndërkombëtare Financiare pranë Bankës Botërore tregon se në vitin 2025, vëllimi i përgjithshëm i ekonomisë digjitale të Afrikës mund të arrijë në 5.2% të PBB-së të kontinentit, duke kontribuuar me gati 180 miliardë dollarë amerikanë në ekonominë afrikane.  Prandaj, Afrika tani ka më shumë nevojë se kurrë për të nxitur përparimin ekonomiko-shoqëror me anën e projekteve të zgjidhjes digjitale.