Foto nga cnenergy
Të martën u hap në Pekin Konferenca e Ndërlidhjes Energjetike Globale për vitin 2023. Tema e konferencës është “Ndërlidhja energjetike globale dhe sistemi i ri energjetik”. Në këtë konferencë, mbi 600 pjesëmarrës kanë bërë diskutime mbi sistemin e ri të energjisë elektrike, ndërlidhshmërinë e energjisë elektrike ndërkufitare, ndërlidhjen energjetike globale dhe zhvillimin e energjisë së pastër, asnjanësimin e karbonit dhe teknologjitë energjetike moderne.
Organizata e Bashkëpunimit dhe e Zhvillimit të Ndërlidhjes Energjetike Globale u formua në mars 2016 dhe është organizata e parë ndërkombëtare në fushën e energjetikës e krijuar me nismën e Kinës. Synimi i saj është formimi i ndërlidhjes energjetike në botë dhe plotësimi i kërkesave për energji elektrike në një mënyrë të pastër dhe të gjelbër. Tani numri i anëtarëve të kësaj organizate është 1305, duke mbuluar 142 vende e rajone të botës.
Deri në fund të vitit 2022, kapaciteti i instaluar i energjisë së përtëritshme në Kinë i kaloi 1.2 miliard kilovatët dhe energjia e pastër zuri mbi 25 % të konsumit të përgjithshëm të energjisë. Për sa i përket ndërlidhjes në rrjetin e energjisë, Kina ka arritur ndërlidhjen e rrjetit me vende si Rusia, Mongolia, Vietnami, Mianmari, Laosi etj.
Foto nga cnenergy
Kryeinxhinieri i Ministrisë së Mjedisit të Kinës Liu Bingjiang tha: “Nga viti 2013 deri më 2022, me zëvendësimin e qymyrgurit, Kina ka kursyer afro 500 milionë tonë konsum të qymyrgurit. 37 milionë familje rurale kanë ndaluar përdorimin e qymyrgurit, duke e zëvendësuar atë me gaz natyror dhe energji elektrike. Ndërgjegjësimi për energjinë e gjelbër dhe me karbon të ulët në mbarë shoqërinë është rritur. Veprimet aktive të Kinës kanë dhënë kontribut të rëndësishëm në përgjigjen globale mbi ndryshimin e klimës, duke nxitur përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe duke u bërë vendi me shpejtësinë më të madhe të përmirësimit në botë. Programi i Mjedisit i OKB-së e ka marrë përmirësimin e cilësisë së ajrit të Pekinit si shembull pozitiv, duke e promovuar në mbarë botën.”
Zv.sekretari i përgjithshëm i Komisionit Kombëtar të Zhvillimit dhe Reformës të Kinës, Xiao Weiming, vuri në dukje se krijimi i ndërlidhjes energjetike globale përputhet me prirjen e zhvillimit të botës dhe të shndërrimit energjetik. Kjo do të nxitë zhvillimin e vazhdueshëm të gjelbër e me karbon të ulët, duke favorizuar tërë njerëzimin.
“Në bazë të platformës së bashkëpunimit ndërkombëtar ‘Një brez, një rrugë’ dhe të gjendjes së vendeve të ndryshme, duhet të nxisim një grup projektesh të zhvillimit të energjisë së pastër, ndërlidhjes së energjisë elektrike dhe të elektrifikimit, me qëllim që të përfitojnë popujt e botës.”
Foto nga cnenergy
Kryetari i Këshillit Botëror të Biznesit për Zhvillimin e Vazhdueshëm, Peter Bakker, shprehu vlerësimin për premtimet dhe përpjekjet e Kinës në procesin global të asnjanësimit të karbonit dhe përparimet e mëdha që ka bërë Kina në ndryshimin e modelit energjetik. Ai shpreson që, në të ardhmen, palët të shtojnë më tej bashkëpunimin dhe të ndajnë përvojat përkatëse.
“Transformimi i sistemit energjetik kërkon bashkëpunim ndërmjet vendeve dhe ndarjen e praktikave më të mira, teknologjive dhe burimeve, për të trajtuar sfidat ndërkufitare të tilla si ndotja dhe tregtimi i energjisë. Veçanërisht promovimi i energjisë së përtëritshme kërkon bashkëpunim ndërmjet vendeve,” theksoi Bakker. (Jiang Lei)